SHBA regjistron rekord viktimash brenda një dite
Shtetet e Bashkuara regjistruan numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi brenda një dite.
Saktësisht 1,734 vetë humbën jetën të martën.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, shifra e çon në 12,722 numrin e përgjithshëm të viktimave në SHBA.
SHBA-ja ka mbi 398,000 të infektuar me koronavirus, që është numri më i lartë në botë.
Rastet globale, ndërkaq, e kanë kaluar shifrën 1.4 milion.
Në një konferencë për media, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-ja mund të jetë duke arritur “majën e kurbës”.
Ai po ashtu tha se SHBA-ja mund të jetë në rrugë të duhur për më pak viktima sesa parashikohej.
Fillimisht, grupi punues i Trumpit ka thënë se rreth 240,000 njerëz mund të vdesin nga koronavirusi në SHBA.
Edhe 19 raste të reja me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKPSHK) njoftoi të martën mbrëma edhe për 19 raste të reja me koronavirus.
Në komunikatën e lëshuar për media, IKPSHK-ja tha se gjithsej janë testuar 259 mostra.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, shtatë prej tyre me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri, tre me vendbanim në Prishtinë, dy me vendbanim në Senik-Malishevë dhe nga një rast nga vendbanimet Llashkadrenovc-Malishevë, Sazli-Ferizaj, Ujmir-Klinë, Gjakovë, Gjilan, Topanicë- Kamenicë dhe Vushtrri”, thuhet në njoftim.
IKPSHK-ja po ashtu bëri të ditur për shërimin e gjashtë pacientëve, që e çojnë në 30 numrin total të të shëruarve nga koronavirusi në Kosovë.
Me shifrat e fundit, sipas IKPSHK-së, numri i të infektuarve në Kosovë shkon në 184, ndërsa i viktimave është pesë.
Nga radhët e komunitetit serb në Kosovë janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.
Komuniteti serb i raporton rastet në Serbi.
Sllovenia mund të nisë të dalë nga izolimi javën e ardhshme
Qeveria sllovene mund të nisë lehtësimin e masave të izolimit, të vendosura për frenimin e përhapjes së koronavirusit, tha kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa.
“Përvojat pozitive na lejojnë të studiojmë dhe planifikojmë lehtësimin e disa kufizimeve, nisur nga e marta e ardhshme, nëse plotësohen disa kushte”, tha Jansa.
Ai tha se fabrikat dhe ofruesit e shërbimeve, që mund të garantojnë sigurinë e punëtorëve dhe konsumatorëve të tyre, mund të jenë ndër të parët që do të rinisin operimet e tyre.
Sllovenia, vend i Bashkimit Evropian që kufizohet me Italinë, ka arritur të frenojë përhapjen e koronavirusit duke ndërmarrë masa të ashpra, shumë shpejt pas paraqitjes së rasteve të para.
Pas futjes në izolim, qytetarët janë ndaluar të udhëtojnë dhe janë detyruar të përdorin maska dhe doreza në dyqanet ushqimore dhe hapësirat tjera publike.
Deri të martën, Sllovenia ka pasur 1,055 raste me koronavirus dhe 36 viktima.
Mjeku nga Gjakova që u shërua nga koronavirusi
Jetish Jetishi është mjeku i parë që u infektua me koronavirus në Kosovë, derisa trajtonte pacientët në vendin e tij të punës. Ai është shëruar dhe po qëndron në shtëpi, prej nga kërkon kujdes nga qytetarët, në mënyrë që të mos e rrezikojnë veten dhe anëtarët e tjerë të familjes.