Jep dorëheqje shkencëtari kryesor i BE-së, kritikon përgjigjen ndaj koronavirusit
Shkencëtari kryesor i Bashkimit Evropian dha dorëheqje, duke dënuar, siç tha, përgjigjen “zhgënjyese” të Brukselit ndaj pandemisë së koronavirusit.
Mauro Ferrari, president i Këshillit Evropian të Kërkimeve, e kritikoi BE-në për refuzimin e propozimit të tij për të krijuar një program shkencor, të shkallës së gjerë, për luftimin e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Në një deklaratë të publikuar në gazetën Financial Times, Ferrari po ashtu tha se shtetet anëtare kanë dështuar të koordinohen për politikën e kujdesit shëndetësor.
Komisioni Evropian nuk e ka komentuar ende dorëheqjen e Ferrarit.
Italia dhe Spanja – të dyja vende anëtare të Bashkimit Evropian – kanë numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në botë: 17,127, përkatësisht 14,045.
Mbi 10,000 viktima ka edhe Franca.
Punëtorët e pezulluar, në hall me pagat
Veton Alushaj është në mesin e 220 punëtorëve në spitalin special për terapi fizikale dhe rehabilitim “ONIX SPA“ në Banjë të Pejës, i cili është larguar nga puna, më 13 mars.
Pezullimi i tij erdhi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndërprerjen e veprimtarisë së disa bizneseve, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që shkakton sëmundjen COVID-19.
Alushaj, që ka kryer punën e fizioterapeutit, ka marrë pagë nga punëdhënësi vetëm për ditët sa ka punuar në muajin mars, kurse pret që pagën e ardhshme ta marrë nga Qeveria e Kosovës.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Themeluesi i Twitter-it dhuron një miliard dollarë për luftën kundër koronavirusit
Jack Dorsey, themelues i rrjetit social Twitter, tha se do të dhurojë një miliard dollarë për të ndihmuar trajtimin e pandemisë së koronavirusit.
Dorsey tha se donacioni paraqet rreth 28 për qind të pasurisë së tij.
Ai e bëri njoftimin në Twitter, duke thënë se “nevojat janë gjithnjë e më urgjente”.
Dorsey nuk tregoi saktësisht se ku do të dërgohen fondet.
Në Shtetet e Bashkuara ka mungesa ventilatorësh dhe të pajisjeve mbrojtëse për stafin shëndetësor, ndërsa bizneset dhe individët po ashtu janë duke luftuar ekonomikisht.
SHBA-ja, njëherësh, ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus në botë: mbi 398,000, ndërsa numri i viktimave atje ka kaluar 12,000.
Nga miliarderët e teknologjisë, edhe themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, ka ndarë 30 milionë dollarë, pjesa më e madhe e të cilave do të investohet në përpjekjet për krijimin e një trajtimi.
Jeff Bezos i Amazon-it ka ndarë 100 milionë dollarë, ndërsa shefi ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook, ka thënë se do të dhurojë furnizime mjekësore në Itali - vendin me numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në botë.
Johnson kalon natën e dytë në kujdes intensiv
Kryeministri britanik, Boris Johnson, kaloi të martën natën e dytë në kujdes intensiv.
Johnson është diagnostikuar me koronavirus më 27 mars.
Kryeministri po mbahet në spitalin St Thomas të Londrës “për monitorim të afërt”, tha Qeveria britanike.
Zëdhënësi i Johnsonit tha se gjendja e tij “është stabile”.
Johnson është shtruar në spital më 5 prill, për shkak të simptomave të vazhdueshme të sëmundjes, ndërsa të hënën mbrëma është transferuar në kujdes intensiv.
Mbretëresha britanike, Elizabeth II, i ka dërguar mesazh familjes dhe partneres së tij, duke thënë se ata janë në mendimet e saj.
Më shumë detaje për gjendjen e Johnsonit priten gjatë ditës.
Sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, i cili po e zëvendëson Johnsonin, tha se është i bindur se kryeministri do të shërohet.