Tre pacientë me koronavirus, në gjendje kritike në QKUK
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare në Kosovë (QKUK) aktualisht janë të shtruar 49 pacientë të prekur nga koronavirusi.
Sipas njoftimit të QKUK-së, tre pacientë janë në gjendje kritike, gjashtë janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen me oksigjenoterapi, ndërsa gjendja e 40 pacientëve të tjerë është stabile.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë liruar 18 raste, të cilat janë testuar dhe kanë rezultuar negativ për Covid -19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]”, thuhet në njoftim.
Në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus është 184, pesë pacientë kanë vdekur, ndërsa 30 janë shëruar.
Nga radhët e komunitetit serb në Kosovë janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.
Komuniteti serb i raporton rastet në Serbi.
Ministrat e BE-së nuk pajtohen për planin ekonomik të ndihmës
Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian nuk arritën të pajtohen për një plan ekonomik të ndihmës për vendet e goditura nga pandemia e koronavirusit.
“Pas 16 orësh bisedime, kemi ardhur pranë një marrëveshjeje, por nuk e kemi arritur”, tha përmes një postimi në Twitter presidenti i Eurogrupit, Mario Centano.
Eurogrupi do t’i vazhdojë bisedimet më 9 prill, shtoi ai.
Ministrat i kanë nisur bisedimet më 7 prill, përmes video-konferencës.
Synimi është pajtimi për masa të mëtejshme fiskale, që do të luftonin ndikimin e pandemisë në rrafshin socio-ekonomik.
Në tryezë është një shumë me vlerë gjysmë trilioni euro, tha Centeno.
Mosmarrvëshja kryesore është nëse kjo shumë duhet emëruar si borxh i përbashkët, apo “korona-bono”.
Disa vende me borxhe të larta, sidomos Italia dhe Spanja, kërkojnë solidaritet nga Evropa dhe ndarje të barrës përmes borxhit të përbashkët.
Por, vendet e pasura, si Gjermania, Holanda, Austria dhe Finlanda, refuzojnë ndarjen e borxheve sovrane.
Banka Qendrore Evropiane ka ndarë tashmë 750 miliardë euro për të blerë borxhet e qeverive dhe të korporatave në Eurozonë dhe për të lehtësuar ndikimin e shpërthimit të koronavirusit.
Disa këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:
Mbi 100,000 të infektuar me koronavirus në Gjermani
Pas regjistrimit të 4,003 rasteve të reja me koronavirus, Gjermania ka tani 103,228 raste të konfirmuara, bëri të ditur Instituti Robert Koch i sëmundjeve infektive.
Sipas tij, numri i viktimave, megjithatë, mbetet i ulët: 1,861.
Shumë ekspertë thonë se norma relativisht e ulët e vdekjeve në Gjermani mund të jetë rezultat i testimeve të shumta.
Gjermania kryen rreth 350,000 teste në javë, shumë më shumë se çdo vend tjetër evropian.