Anulohet takimi i majit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor
Samiti i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, që është dashur të mbahet më 7 maj në Zagreb, është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Presidenca e BE-së, që aktualisht udhëhiqet nga Kroacia, tha të mërkurën se data e re dhe mënyra e mbajtjes së samitit do të dakordohen më vonë, varësisht situatës.
“Në marrëveshje me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, do të bëhen përpjekje për të gjetur një termin të ri në qershor, nëse këtë e lejon situata me COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]”, thuhet në njoftim.
“Përndryshe, nëse nuk do të jetë e mundur mbajtja e takimit fizik, do të sugjerohet zhvillimi i takimit me video-lidhje para përfundimit të presidencës kroate të BE-së, më 30 qershor”, thekson po ashtu njoftimi.
Shumë vende të Evropës, tash e sa javë, janë izoluar, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Italia dhe Spanja kanë numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në botë: 17,127, përkatësisht 14,045.
Vuhani, pas gati 11 javësh, del nga izolimi
Pas 76 ditësh, qyteti Vuhan i Kinës, ku janë shfaqur rastet e para me koronavirus në fund të vitit të kaluar, ka dalë nga izolimi.
Izolimi i Vuhanit, i paparë deri më tash, është bërë model për vendet që po përpiqen të frenojnë përhapjen e koronavirusit.
Njëmbëdhjetë milionë banorët e tij tani mund ta lënë qytetin pa leje të veçantë, me kusht që një aplikacion në telefonat e tyre mobilë tregon se ata janë të shëndetshëm dhe se nuk kanë qenë në kontakt me dikë që është konfirmuar se ka koronavirus.
Sipas raportimeve të mediave lokale, vetëm disa orë pas daljes nga izolimi, rreth 65,000 njerëz kanë dalë nga qyteti me trena ose avionë.
Kufizimet në Vuhan – qytetin ku është regjistruar numri më i madh i të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi në Kinë – kanë nisur të hiqen gradualisht ditëve të fundit, pasi numri i rasteve ka nisur të bie.
Qeveria kineze tha se të martën në Vuhan nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me koronavirus.
Gjatë 76 ditëve në izolim, banorët e Vuhanit kanë mundur të dalin nga shtëpitë vetëm për të blerë ushqime ose për punë që konsiderohen të domosdoshme.
Disave u është lejuar të dalin nga qyteti, por vetëm me dëshmi se nuk paraqesin rrezik shëndetësor dhe me dëshmi që tregojnë se ku dhe pse shkojnë.
Çfarë duhet të veshin të gjithë mjekët? Këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:
Tridhjetenjë persona që hynë ilegalisht në Kosovë, dërgohen në karantinë
Drejtori i Qendrës për Azil në fshatin Magurë të Lipjanit dhe asaj në fshatin Vranidoll të Prishtinës, Fitim Zariqi, tha për Radion Evropa e Lirë se 31 persona, të cilët në ditët e fundit kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, janë vendosur në karantinë, nën dyshimet se mund të jenë të infektuar me koronavirus.
Të gjithë janë migrantë nga shtete të ndryshme, por kryesisht nga Siria.
Zariqi tha se ata kontrollohen vazhdimisht nga ekipet mjekësore dhe se, deri më tash, nuk ka ndonjë rast të konfirmuar me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Policia e Kosovës, pak ditë më parë, ka ndaluar disa migrantë në Prishtinë, që qëndronin në shtëpi të braktisura.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, në Kosovë, që nga fillimi i vitit, kanë hyrë ilegalisht rreth njëmijë migrantë.
Zariqi tha se prej tyre, rreth 700 kanë kërkuar azil.