Ministrat e BE-së nuk arrijnë pajtim për pakon financiare
Ministrat e financave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, dështuan të merren vesh për një pako mbështetëse financiare për ekonomitë e goditura nga kriza e pandemisë.
Bisedimet kanë zgjatur gjatë tërë natës, por pasi nuk arritën marrëveshje, ata u pajtuan të vazhdojnë diskutimet gjatë ditës së enjte lidhur me çështjet, për të cilat zyrtarët thanë se ekistonin ndasi të pakapërcyeshme.
Zyrtarët thanë se një mosmarrëveshje midis Italisë dhe Holandës, mbi atë se cilat kushte duhet t'i bashkëngjiteshin kredisë së zonës së euros për qeveritë që luftojnë kundër pandemisë bllokuan përparimin për arritjen e marrëveshjes në vlerë gjysmë trilioni euro.
Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.
Kryeministri britanik "në disponim të mirë"
Shëndeti i kryeministrit britanik, Boris Johnson, po i përgjigjet trajtimit në kujdesin intensiv të një spitali në Londër, tha zëdhënësi i tij të mërkurën, duke shtuar se lideri britanik ishte në "disponim të mirë".
"Në aspektin klinik kryeministri mbetet i qëndrueshëm dhe po i përgjigjet trajtimit. Ai vazhdon të qëndrojë në njësinë e kujdesit intensiv. Ai është me disponim të mirë," u tha zëdhënësi gazetarëve.
Johnson është diagnostikuar me koronavirus më 27 mars.
Johnson është shtruar në spital më 5 prill, për shkak të simptomave të vazhdueshme të sëmundjes, ndërsa të hënën mbrëma është transferuar në kujdes intensiv.
Maska mbrojtëse për Kosovën nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara
Këndet Amerikane të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, kanë filluar prodhimin e maskave mbrojtëse, për qendrat lokale shëndetësore në Kosovë.
Në një komunikatë për media të Ambasadës amerikane, thuhet se këndi amerikan në Prizren është duke prodhuar 100 maska për fytyrë, duke përdorur printerin e tyre 3D dhe teknologjinë e lapsit 3D për t’i dhuruar ato në qendrat shëndetësore lokale në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë së Komunës.
"Falë mbështetjes nga profesori inxhinierik i Universitetit të Prishtinës Shaban Buza, ata prodhuan me sukses sasinë e parë të maskave praktike, të cilësisë së lartë. Që nga 8 prilli, ata kanë prodhuar 50 maska, duke i dhuruar ato në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Emergjencës, si në Prizren ashtu edhe klinikave private, dentistëve dhe teknikëve laboratorik", thuhet në komunikatë.
Këndi Amerikan në Prishtinë sipas komunikatës ka huazoi printerin e tij 3D me pjesë përcjellëse për BONEVET-it në Prishtinë për të mbështetur prodhimin e maskave për fytyrë për punëtorët e shëndetësisë. Duke punuar me partnerët e tyre, vullnetarët dhe komunitetin, BONEVET ka rritur prodhimin e maskave për të mbuluar nevojat e spitaleve dhe qendrave mjekësore, policisë dhe shërbimeve të tjera publike në gjithë Kosovën.
Ambasada në Prishtinë ka falënderuar të gjithë partnerët e saj, stafin e tyre dhe të gjithë vullnetarët e Këndeve Amerikane dhe gjetiu, të cilët janë duke punuar shumë për të luftuar COVID-19.
Edhe mbi 750 viktima nga koronavirusi në Spanjë
Numri i viktimave nga koronavirusi në Spanjë është rritur për të dytën ditë me radhë.
Autoritetet shëndetësore thanë në në 24 orët e fundit janë regjistruar 757 viktima, krahasuar me 743 që janë shënuar në 24-orëshin paraprak.
Megjithatë, shifra është shumë më e ulët se rekordi prej 950 viktimash në ditë, që është regjistruar më 2 prill.
Numri i të infektuarve të rinj është rritur po ashtu për 6,180.
Spanja ka numrin më të madh të të infektuarve në Evropë: afro 147,000.
Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge, tha të mërkurën se ka shenja se koronavirusi po ngadalësohet në Itali dhe Spanjë, por paralajmëroi se përparimi në të gjithë kontinentin është "jashtëzakonisht i brishtë".