Ndërprerjet e energjisë elektrike në kohë pandemie
Ndërprerjet e kohëpaskohshme të energjisë elektrike në Kosovë po shkaktojnë probleme për nxënësit, të cilët po ndjekin mësimet online dhe punëtorët, të cilët po punojnë nga shtëpia.
Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga sëmundja COVID-19, mësimi nga distanca po transmetohet në televizionin publik të Kosovës në orar të caktuar, ndërsa për shkak të mbylljes së shumë aktiviteteve ekonomike në disa sektorë, puna po bëhet nga shtëpia.
Kjo situatë ka rritur kërkesën për energji elektrike te konsumatorët e amvisërisë dhe ka ulur kërkesën te konsumatorët komercialë.
Atikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Irani i kërkon kredi FMN-së për luftimin e koronavirusit
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, i bëri thirrje Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që t’i sigurojë Teheranit një kredi urgjente miliarda dollarëshe për luftimin e shpërthimit të koronavirusit.
Epidemia e ka dëmtuar edhe më ekonominë e Iranit, e cila ka qenë e dobësuar nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara.
Uashingtoni i ka kthyer sanksionet kundër Republikës Islamike prejse është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore me të, në maj të vitit 2018.
Koronavirusi në Iran ka infektuar mbi 62,500 njerëz, ndërsa ka vrarë mbi 3,800.
“Ne jemi vend anëtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Nuk duhet të ketë diskriminim në dhënien e kredive”, tha Rohani në një takim të kabinetit qeveritar.
“Nëse nuk veprojnë në këtë situatë të vështirë, bota do t’i gjykojë ata ndryshe”, shtoi Rohani.
Muajin e kaluar, Banka Qendrore e Iranit ka kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar pesë miliardë euro kredi, për ta ndihmuar në luftimin e koronavirusit.
Një zyrtar i FMN-së është cituar të ketë thënë se Fondi, me seli në Uashington, është në dialog me zyrtarët iranianë për kërkesën.
Kujdesi për ushqimin dhe ambientin e punës në ditët e izolimit
Fjoralba Krapi, një e re nga Prishtina, na tregon përmes disa pamjeve të incizuara vetë se si po e menaxhon kohën në ditët e izolimit. Ushqimi i shëndetshëm dhe përzgjedhja e ambientit të punës duket se janë ngjitur në listën e prioriteteve.
Ndalohet një polic i Kosovës që shpërfilli masat kundër koronavirusit
Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka arrestuar një zyrtar policor për mospërfillje të urdhrave të Qeverisë së Kosovës, në lidhje me pandeminë e koronavirusit.
Bëhet e ditur se polici, i arrestuar të martën vonë, ka qenë jashtë detyrës zyrtare.
Në njoftim thuhet se policit, me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Polici po ashtu është suspenduar nga detyra.
"Policët e Kosovës duhet të jenë garant i zbatimit të ligjit dhe shkeljet e tilla në këtë kohë janë një model i keq edhe për qytetarët e Kosovës, të cilëve po u bëjmë thirrje të vazhdueshme për të ndjekur udhëzimet e institucioneve të Kosovës", tha përmes një postimi në Facebook ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës në detyrë, Xhelal Sveçla.
Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, pak kohë pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus, më 13 mars.
Në mesin e masave të ndërmarra, si mbyllja e shkollave dhe e restoranteve, është edhe ndalimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 17:00 deri në orën 06:00.
Në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus është 184, pesë pacientë kanë vdekur, ndërsa 30 janë shëruar.
Nga radhët e komunitetit serb në Kosovë janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.
Komuniteti serb i raporton rastet në Serbi.