Në Serbi orë policore gjatë gjithë vikendit
Autoritetet në Serbi kanë vendosur orë policore gjatë gjithë vikendit.
Përkatësisht, ora policore fillon të premten në ora 5 pasdite deri të hënën në 5 të mëngjesit.
Kështu vendosi Shtabi i Krizës ndaj COVID-19 në Serbi.
Pensionistët do të kenë mundësi të dalin të treg të premteve nga ora 4 deri në orën 7 të mëngjesit, si dhe pronarët e kafshëve shtëpiake do të jenë në gjendje t’i nxjerrin kafshët e tyre në mbrëmje nga ora 23 deri në ora 1 dhe të dielave nga ora 8 deri në orën 10 të mëngjesit.
Në Serbi, gjatë 24 orëve të kaluara, 219 persona janë infektuar me koronavirusin e ri, dhe katër kanë vdekur, njoftoi Darija Kisiq Tepavçeviq nga Instituti për Shëndet Publik.
Numri i përgjithshëm i personave të infektuar në Serbi është 2,666, ndërsa 65 kanë vdekur.
Rrugët gati të shkreta të Pragës
Deri në shpërthimin e koronavirusit, kryeqyteti çek, Praga, ka qenë një nga destinacionet më të njohura turistike në botë dhe rrugët e saj ishin të stërmbushura me turistë. Tani, gjendja e jashtëzakonshme është në fuqi, kufijtë janë kryesisht të mbyllur dhe të gjithëve u kërkohet t’i mbulojnë fytyrat në publik. Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Amos Chapple, ka incizuar këto imazhe përhumbëse të qytetit të izoluar.
Dezinfektohen rrugët dhe hapësirat publike në Prishtinë
Komuna e Prishtinës ka filluar me dezinfektimin për herë të dytë të rrugëve dhe hapësirave publike, për herë të dytë në Prishtinë.
"Fillimisht po bëhet larja e thellë e të gjitha rrugëve me cisterna, e Pastaj do të vazhdohet me dezinfektimin e hapësirave publike dhe mobilerisë urbane (ulëseve, shportave, shtyllave) përmes pompave të krahut", thuhet në njoftimin e komunës së Prishtinës.
Ky veprim, sipas Komunës së Prishtinës bëhet me qëllim të parandalimin të përhapjes së koronavirusit të ri.
Shkup: Arrin në 29 numri i viktimave nga Covid-19, 500 padi për shkelësit e masave policore
Numri i personave që kanë vdekur nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 29.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar tre viktima. Sipas Ministrisë së Shëndetisë viktimat janë një 73 vjeçar nga Kumanova, në qytetin e Kavadarit një 44 vjeçar është gjetur i vdekur në banesën e tij. Bëhet fjalë për një shtetas të Shqipërisë, tek i cili është konstatuar virusi COVID-19. Viktima tjetër ka qenë një burrë 45 vjeç nga Shkupi i cili ka ndërruar jetë të martën në mbrëmje rrugës për në spital.
Sipas raportit të publikuar nga Ministria, janë regjistruar 18 raste të reja me koronavirusi me cka numri i të infektuarve ka shkuar në 617.
Ndërkohë, më shumë se 500 persona do të përballen me drejtësinë për mos respektim të masave të qeverisë për mbrojtje dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Sipas prokurorisë publike e cila edhe ka publikuar shifrat, vetëm në rajonin e Shkupit janë ngritur 178 padi penale.
Përhapja e koronavirusit apo infektimi me qëllim i personave të tjerë konsiderohet vepër penale dhe këta persona sipas kodit penal do të mund të gjykohen deri në 1 vjet burg ose me gjoba në para që mund të arrijnë deri në dy mijë euro.