BE-ja propozon zgjatjen e ndalimit të udhëtimit deri më 15 maj
Komisioni Evropian (KE) u ka kërkuar vendeve anëtare të zgjasin ndalimin e udhëtimit deri më 15 maj, njoftoi Brukseli.
"Përvoja e shteteve anëtare dhe vendeve të tjera të ekspozuara ndaj pandemisë, tregon që masat e marra për të luftuar përhapjen e virusit, për të qenë efektive, duhet të zgjasin më shumë se 30 ditë", tha Komisioni në një deklaratë.
Komisioneri Evropian, Margaritis Schinas, që është përgjegjës për promovimin e mënyrës evropiane të jetesës, theksoi se deri më tani, shtetet anëtare të BE-së, kanë zbatuar me sukses masat e nevojshme për të luftuar pandeminë.
"Megjithëse ne tashmë mund të shohim rezultatet e para, nevojitet një shytrje e kufizimeve të udhëtimit për të vazhduar me uljen e përhapjes së sëmundjes. Ne nuk mund ta hapim derën, derisa ta sigurojmë shtëpinë", tha Schinas.
Kufizimi i udhëtimit, si dhe ftesa për ta zgjatur atë, i referohet zonës së ashtuquajtur "BE plus", e cila përfshin të gjitha shtetet anëtare të BE-së, anëtarët e Shengenit, si dhe katër vendet - Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.
Komisioni Evropian bën thirrje për një qasje të koordinuar, pasi beson se masat mund të jenë efektive, vetëm nëse zbatohen nga të gjitha vendet në të njëjtën periudhë dhe në një mënyrë unike.
Sipas Komisionit Evropian, që në gjysmën e dytë të marsit kur filloi zbatimi i kufizimit të udhëtimit, trafiku i pasagjerëve ajror është zvogëluar pothuajse në zero.
Deklarata e KE-së tha se çdo zgjatje e mëtejshme e kufizimeve të udhëtimit përtej 15 majit do të vendoset më vonë, dhe do të bazohet në një vlerësim të situatës epidemiologjike.
Gjatë 24 orëve të fundit shënohen 938 vdekje në Mbretërinë e Bashkuar
Në Mbretërinë e Bashkuar janë regjistruar edhe 938 vdekje nga koronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 7,097, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Që nga data 8 prill në këtë vend janë testuar 232,708 persona.
Prej tyre, 60,733 kanë dalë të infektuar me koronavirusin e ri.
Vetë kryeministri, Boris Johnson u testua si pozitiv në koronavirus dhe ai tash është i vendosur në kujdes intenziv në një spital të Londrës.
Zyrtarët e qeverisë kanë thënë se gjendja e tij po përmirësohet.
Papa dënon "hipokrizinë" e disa politikanëve gjatë pandemisë
Papa Françesku dënoi veprimet e njerëzve, për të cilët tha se po e shfrytëzojnë krizën e pandemisë për të fituar shpejt pasuri.
Papa tha se e dënon edhe mënyrën "hipokrite" se si disa politikanë po merren me krizën.
Në fillim të meshës së tij të mëngjesit, Papa kërkoi ndryshimin e zemrës së atyre që përpiqeshin të fitonin para në kurriz të të tjerëve.
Ai foli për "ata njerëz që, në këtë kohë të një pandemie, kanë bërë biznes, duke përfituar nga njerëzit në nevojë".
"Zoti le të prekë zemrat e tyre dhe t'i ndryshojë ato", tha ai.
Pandemia ka vrarë 81.400 njerëz në të gjithë botën.
Më shumë se 16.500 prej tyre kanë vdekur në Itali, një nga vendet ku autoritetet janë përpjekur të zvogëlojnë uljen e çmimeve dhe format e tjera të përfitimit të paligjshëm.
Javën e kaluar, policia arrestoi dy burra në Italinë veriore, për vjedhjen e maska kirurgjikale nga një spital.
Muajin e kaluar, presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ndalonte rritjen e çmimeve të furnizimeve mjekësore, dhe Prokurori i Përgjithshëm, William Barr, tha se Departamenti i Drejtësisë kishte filluar të hetojë skema të tilla.
Zyrtarët italianë antimafia kanë paralajmëruar se grupet e krimit të organizuar mund të përfitojnë nga kriza, duke iu huazuar para pronarëve të bizneseve të vogla që luftojnë për mbijetesë gjatë izolimit.
Papa Françesku gjithashtu adresoi efektet e krizës së koronavirusit në një intervistë të botuar në gazetën katolike britanike The Tablet.
"Jam i shqetësuar nga hipokrizia e personaliteteve të caktuara politike që flasin për përballimin e krizës, për problemin e urisë në botë, por që ndërkohë prodhojnë armë", tha ai, pa përmendur vendet apo politikanët.
Ai pranoi se disa qeveri kishin "marrë masa shembullore për të mbrojtur popullsinë", por që kriza duhet të nxisë autoritetet që të kërkojnë ndryshime strukturore ekonomike për të mbrojtur njerëzit në nevojë, veçanërisht të pastrehët, raporton Reuters.
Turqia dërgon pakon e ndihmës për Kosovën
Kosova ka pranuar një pako me ndihma nga Turqia për përballimin me sëmundjen Covid-19.
Pakon e ndihmave, me maska, dorëza dhe teste për identifikimin e pacientëve me koronavirus, e ka pranuar në aeroportin e Prishtinës, ministri i Shëndetësisë i Kosovës në detyrë, Arben Vitia.
“Sot nga populli turk kemi pranuar një ndihmë të konsiderueshme për popullin e Kosovës, që të përballemi më lehtë dhe më mirë me situatën me Covid-19. Miqtë e mirë shihen në ditë të vështira edhe në kohën kur të gjithë miqtë tanë, njësoj si në Kosovë, po përballen me këtë problem. Kjo ndihmë është në vazhdën e ndihmave nga miqtë tjerë si Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja", tha Vitia.
Gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, ambasadori turk në Kosovë, Cagri Sakar, tha se kjo ndihmë është nisur me kërkesën e presidentit të Turqisë, Taip Erdogan, për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
“Në muajin mars, presidenti i Republikës së Kosovës (Hashim Thaçi), ka shprehur kërkesën që ne t’i ndihmojmë shtetit të Kosovës ,dhe presidentët e të dy vendeve më 19 mars kanë realizuar një telefonatë, ndërsa në Ankara, më 20 mars është nënshkruar një marrëveshje për grant ndërmjet dy vendeve. Ne jemi shumë të lumtur që kemi pasur mundësi t’i përgjigemi pozitivisht Kosovës”, ka thënë Sakar.
Më herët, të mërkurën, presidenti Thaçi, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka thënë se pakoja e ndihmës nga Turqia është ndihma e parë nga jashtë që ka arritur në Kosovë.