Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
00:52 9.4.2020

Rritet numri i të prekurve nga koronavirusi në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) njofton se janë regjistruar edhe 14 raste të reja me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Me rastet e reja të konfirmuara nga IKSHPK-ja, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 224, ndërsa numri i viktimave është gjashtë. Në njoftimin për media, ky institut ka përfshirë edhe rastet me COVID-19 edhe në komunat e banuara me shumicë serbe. 

“Rastet pozitive të sotme janë raste kontakti, katër (4) prej tyre me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri, dy (2) me vendbanim në Banjë- Malishevë, dy (2) me vendbanim në Prishtinë, dy (2) me vendbanim në Mitrovicë të Veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet Bllacë-Suharekë, Gjurgjevik-Klinë, Krojmir-Lipjan dhe Zveçan”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja po ashtu njofton se edhe shtatë pacientë janë shëruar, që e çon në 37 numrin e të shëruarve në Kosovë.

Nga radhët e komunitetit serb në Kosovë janë infektuar 36 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet në Serbi.

Rastet e para me koronavirusin e ri në Kosovë u regjistruan më 13 mars.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

21:53 8.4.2020

Djali i Vuçiqit, i infektuar me koronavirus

Danilo Vuçiq, i biri i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i infektuar me koronavirus, ka kumtuar vet presidenti serb Vuçiq, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Instagram.

“Kur gjithçka filloi, Danilo i im më tha që dorëzimi nuk është opsion. I linduri i im i parë, është i infektuar me koronavirus, ndërkaq paqyrën klinike e ka të tillë dhe është pranuar në Klinikën Infektive”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Sipas të dhënave të fundit, nga koronavirusi në Serbi janë infektuar 2.666 njerëz, ndërsa 65 kanë vdekur.

21:40 8.4.2020

Shkon në gjashtë numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se është konfirmuar edhe një vdekje nga koronavirusi në Kosovë. 

Bëhet fjalë për një paciente, 66 vjeçare nga Malisheva e cila ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. 


 

21:20 8.4.2020

Italia raporton rënie të numrit të viktimave nga koronavirusi

Më 8 prill, Italia raportoi për 542 të vdekur nga koronavirusi. Ky është numri më i ulët i të vdekurve në një ditë, gjatë pothuajse një muaji. Autoritetet njoftuan se është hera e parë që numri i personave që janë larguar nga spitalet është mbi dy mijë brenda një dite. 

Gjatë 24 orëve të fundit 3.836 njerëz u konfirmuan si të infektuar nga virusi në Itali, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 139.422.

Italia është vendi me numrin më të madh të vdekjeve nga viroza, me 17.669 vdekje.

Përmirësimi i situatës në Itali është rezultat i masave të marra dy ose tre javë më parë, tha zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ranieri Guera.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG