Italia mund të lehtësojë masat e izolimit nga fundi i prillit
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka thënë se vendi mund të fillojë të lehtësojë masa e izolimit deri në fund të prillit.
"Nëse shkencëtarët e miratojnë atë, ne mund të fillojmë të lehtësojmë disa masa deri në fund të këtij muaji," tha Conte në një intervistë me BBC-në.
Ai gjithashtu mbrojti trajtimin që i bëri qeveria e tij krizës, duke thënë: "prap do të bëja të njëjtën gjë".
Italia ka të konfirmuara 139,422 raste të të infektuarve me koronavirus, dhe 17,669 vdekje.
Qeveritë mobilizohen kundër tronditjes ekonomike
Me mbylljen e bizneseve të panumërta për shkak të pandemisë së koronavirusit, qeveritë po ndërmarrin veprime drastike, në përpjekje për të mbrojtur ekonomitë e tyre. Masat variojnë nga politikat monetare deri te ndihmat e drejtpërdrejta ushqimore për qytetarët në vështirësi.
Gjermania shënon rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus
Në Gjermani, në 24 orët e kaluara numri i personave të infektuar me koronavirus është rritur për 4,974.
Instituti për Sëmundjet Infektive tha se numri i përgjithshëm i viktimave tani ka arritur në 108.202.
Në Gjermani, për të tretën ditë radhazi, numri i të infektuarve është rritur pas një rënie prej katër ditësh me radhë në periudhën e mëparshme.
Gjatë 24 orëve u shënuan 246 vdekje të reja duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 2,107.
Qeveria autorizon Ministrinë e Shëndetësisë për masat parandaluese ndaj COVID-19
Qeveria në detyrë e Kosovë, përmes një komunikate për media ka njoftuar se në mbledhjen e fundit, ka marrë vendim që të autorizohet “ministri i Ministrisë së Shëndetësisë që të nxjerrë vendime me qëllim të parandalimit dhe luftimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19”.
Sipas qeverisë në detyrë, vendimet do të jenë në funksion të zbatimit të dispozitave të Ligjit për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
“Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas rekomandimeve të njësive përkatëse profesionale dhe në konsultim me Komunat respektive do ta përcaktojë orarin e lëvizjes ose ndalimit të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve, si dhe të bëjë përjashtime të orarit të kufizimeve të përcaktuara në Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 02/17 të datës 27.03.2020”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Po ashtu, është theksuar që vendimi i miratuar sot nga qeveria në detyrë, ka për qëllim racionalizimin e kohës në procesin e marrjes së vendimeve, në funksion të parandalimit dhe luftimit të përhapjes së epidemisë COVID-19.
Vendimi, sipas qeverisë është mbështetur në dispozitat ligjore të Ligjit për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse si dhe duke u bazuar në konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, numër KO54/20, të datës 31 mars 2020.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese vendimin e 23 marsit, të Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. Gjykata Kushtetuese konstatoi se ky vendim i qeverisë ishte në shpërputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja tha se vendimi i kufizimit të lëvizjes do të mbetet në fuqi deri më 13 prill.