SHBA-ja akuzon dy persona për terrorizëm pasi kërcënuan me përhapje të COVID-19
Shtetet e Bashkuara akuzuan dy persona për vepër terroriste, pasi kërcënuan me përhapje të koronavirusit.
Departamenti i Drejtësisë e ka klasifikuar koronavirusin si "armë biologjike" dhe veprat penale që kanë të bëjnë me sëmundjen mund dënohen deri në pesë vjet burgim.
Në incidentin e parë, një burrë në Florida është akuzuar për kollitje dhe pështyrje ndaj oficerëve të policisë. I njëjti ka qenë i arrestuar për dhunë në familje gjatë muajit mars.
Sipas dokumenteve të gjykatës, 31 vjeçari i tha një oficeri: "Epo unë jam me koronavirus".
Ai më vonë doli negativ në testin e virusit.
Ndërkohë, një burrë tjetër në Teksas përballet me një akuzë të ngjashme, pasi pretendoi rrejshëm në rrjetin social Facebook, se ai kishte paguar dikë për të përhapur koronavirus në supermarkete në qytetin e San Antonios.
Më shumë se 14.800 njerëz kanë vdekur nga virusi në SHBA, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.
Rreth 1.5 milion të infektuar me koronavirus në të gjithë botën
Në gjithë botën tani ka rreth 1.5 milionë të infektuar me koronavirus. Në shumë vende mendohet se numri mund të jetë më i lartë. Këto janë vendet me më së shumti të infektuar deri më sot:
SHBA: 432,132
Spanjë: 148,220
Itali: 139,422
Gjermani: 113,296
Francë: 83.080
Kinë: 82, 867
Iran: 64.586
Mbretëria e Bashkuar: 61.474
Turqi: 38.226
Belgjikë: 23,403
Nga 1.484.811 njerëz që kanë dalë pozitiv, rreth 330,000 dihet se janë shëruar. Më shumë se 88.500 vdekje kanë qenë të lidhura me Covid-19.
Të dhënat janë bërë të ditura nga Universiteti John Hopkins në SHBA.
Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.
Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.
Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.
Macron dhe Kurti diskutojnë për situatën e pandemisë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një bisede telefonike me presidentin francez, Emmanuel Macron, kanë diskutuar edhe për çështjen e pandemisë së COVID- 19.
Kurti e ka falënderuar presidentin franceze për mbështetjen që Kosovës i kanë dhënë Franca dhe Bashkimi Evropian në luftën kundër COVID-19.
Ndihma evropiane e caktuar për Kosovën filloi me 5 milionë euro dhe do të ka kap vlerën e përgjithshme prej 68 milionë eurosh.
Në komunikatë e qeverisë, thuhet po ashtu se Kurti e ka informuar presidentin Macron për masat e marra nga qeveria dhe rezultatet.
"Beteja kundër virusit COVID-19 mbetet prioritet i drejtpërdrejtë i Qeverisë në detyrë", ka thënë Kurti.
Nga ana e tij, presidenti francez ka shprehur përkrahjen për trajtimin e krizës shëndetësore nga ana e Qeverisë së Kosovës., theksohet në komunikatë.
IKSHPK përfshin edhe rastet nga komunat serbe në të dhënat e fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) në njoftimin për rastet e reja me COVID-19, ka përfshirë edhe rastet nga komunat e banuara me shumicë serbe.
Kjo është hera e parë që ky Institut i përfshinë rastet nga komunat me shumicë serbe në të dhënat që publikon për numrin e të infektuarve në Kosovë.
Deri më tani të dhënat nga komunat me shumicë serbe janë raportuar në Serbi.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se përfshirja e rasteve nga komunat me shumicë serbe ndihmon në posedimin e një pasqyre të qartë të shtrirjes së rasteve në gjithë vendin.
"Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik,pas analizës së disa mostrave qe i ka bërë vet në veri, dhe pas raportimeve të rasteve edhe nga ajo zonë, i ka përfshirë në raportin e rregullt edhe rastet e raportuara në veri. Kjo ndihmon për të pasur një pasqyrë të qartë të shtrirjes së rasteve në gjithë vendin", thotë drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.
Me rastet e reja të konfirmuara nga IKSHPK-ja, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 224, ndërsa numri i viktimave është gjashtë.