Ventilatorë ‘Made in Kosova’
Kompania kosovare “Formon” që kryesisht krijon printerë 3D, ka krijuar një prototip të ventilatorit që besohet se do të ndihmojë të prekurit nga koronavirusi.
Kryeministri i Spanjës: Fillimi i rënies së epidemisë është afër
Të dhënat e reja mbi infeksionet e koronavirusit në Spanjë janë inkurajuese dhe vendi po i afrohet fillimit të rënies së kurbës, tha kryeministri, Pedro Sanchez.
"Ne kemi filluar ta vendosim zjarrin nën kontroll", i tha Sanchez parlamentit para se të votonte zgjatjen e urgjencës për dy javë të tjera, deri më 26 prill.
Kryeministri u bëri thirrje të gjitha partive politike të bëhen pjesë e paktit të rindërtimit ekonomik pas kësaj krize shëndetësore.
Salla e kuvendit ishte gati bosh dhe shumica e më shumë se 300 deputetëve morën pjesë përmes video-lidhjes, për shkak të një mase ndalimi të lëvizjes.
Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i vdekjeve gjatë epidemisë është 14.555, dhe të infektuar me koronavirus janë 146.690.
Qeveria planifikon të lehtësojë kufizimet për kompanitë që u mbyllën gati dy javë më parë.
Kurti: Do të ketë rritje të masave në kufizimin e lëvizjes
Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, pas një vizite në komunë e Prizrenit, ka ftuar qytetarë që edhe me tej të respektojnë rregulluat për parandalimin e koronavirusit.
Ai tha se në ditët në vazhdim do të ketë rritje të masave për kufizim të lëvizjes.
"Do të ketë rigorozitet më të lartë", tha Kurti.
Kurti tha se Kosova dhe qytetarët e saj, nuk mund të llogarisë as për së afërmi si vendet e Evropës perëndimore në sektorin e shëndetësisë, prandaj tha ai "duhet të përqendrohemi me të gjitha fuqitë në parandalimin e shpërndarjes së virusit".
Evropa drejt lehtësimit të masave të izolimit
Vendet në të gjithë Evropën kanë filluar me kujdes të lehtësojnë masat e tyre të izolimit, pasi shkalla e infeksionit të koronavirusit po bie ngadalë, raporton BBC.
Dyqanet e vogla do të hapen në Austri dhe Republikën e Çekisë, dhe me 15 prill shkollat në Danimarkë do të rihapen.
Ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn, tha se nëse vazhdon tendenca aktuale pozitive, mund të ketë "një kthim gradual të normalitetit" pas festës së Pashkëve.
Edhe në vendet më të prekura nga koronavirusi, ka arsye për optimizëm.
Raportet në Itali tregojnë se kufizimet mund të lehtësohen më 4 maj.
Të enjten në mëngjes, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se më në fund, vendi mund të jetë duke kaluar më të keqen e shpërthimit të pandemisë.
"Zjarri ka filluar të vihet nën kontroll", i tha ai parlamentit.
Shqetësim mbetet fundjava e Pashkëve, kur njerëzit zakonisht udhëtojnë për të takuar familjarët.
Që nga mesnata, Portugalia ka ndaluar njerëzit të largohen nga zona e tyre lokale pa dokumente zyrtare.
Më 7 prill, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk ka rekomandime të qarta për vendet dhe rajonet lidhur me lehtësimin e masave ndaj pandemisë, por u kërkoi atyre që të mos i heqin ato shumë herët.
"Njëra nga gjërat më të rëndësishme është që të mos hiqen shumë herët masat në mënyrë që të mos kemi një përkeqësim përsëri", tha zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier.
Sipas tij, kjo situatë, është e ngjashme me të qenit i sëmurë vetë.
“Nëse ngritesh shumë shpejt nga shtrati dhe vrapon shumë herët, rrezikon të biesh prapa dhe të kesh komplikime", shtoi ai.