Maqedoni e Veriut: 30 të vdekur, 663 të infektuar me COVID-19
Numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedonisë e Veriut ka arritur në 30. Ministria e Shëndetësisë në raportin e ditës së enjte ka njoftuar edhe për një viktimë, një grua 27-vjeçare nga Kumanova, e cila ka ndërruar jetë të mërkurën në mbrëmje.
Viktima, siç bëhet e ditur, para një jave kishte lindur një foshnje e cila nuk është infektuar me koronavirus.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka informuar edhe për 46 raste të reja të të infektuarve me çka numri i përgjithshëm i të prekurve me COVID-19 ka arritur në 663 persona. Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, Kumanovë, Prilep, Dibër dhe Tetovë.
Deri më tani mbi 6,500 persona janë testuar për koronavirus ndërsa 37 është numri i personave që janë shëruar. Në izolim dhe karantinë shtetërore janë mbi 10 mijë persona.
Ndërkohë, sipas raportit të Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe gjatë natës së kaluar janë regjistruar raste të shumta të mosrespektimit të masave të qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. MPB-ja njoftoi se në nivel të shtetit, 97 persona kanë shkelur orën policore; 62 persona janë ndaluar, 10 janë paralajmëruar ndërsa të tjerëve u janë marrë të dhënat dhe ndaj tyre do të vazhdojë procedura përkatëse gjyqësore.
SHBA: 16 milionë persona pretendojnë se janë të papunë
Autoritetet në Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se edhe 6.6 milionë persona kanë bërë kërkesë për përfitime shtetërore, pasi kanë humbur vendet e punës.
Kjo shifër e dërgon në 16 milionë numrin e personave të papunë në SHBA, shifër e pashembullt deri më tani.
Për dallim nga këto të dhëna, si pasojë e krizës financiare të vitit 2008, patën humbur vendet e punës nëntë milionë persona.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, aktualisht në SHBA është raportuar për 432,438 të infektuar dhe 14,808 të vdekur.
Në gjithë botën nga sëmundja, Covid-19, që shkakton koronavirusi janë infektuar afro 1.5 milion persona.
Shtyhet lansimi i simboleve për komunikim elektronik
Organizata joqeveritare, Unicode Consortium, ka njoftuar se lansimi i simboleve të reja për komunikim elektronik, është shtyrë për vitin 2022, ndonëse viti fillestar i publikimit ishte 2021.
Kjo Organizatë varet nga vullnetarët që ka, andaj ka njoftuar për ndërrim të sistemit të zakonshëm të punës, për shkak të pandemisë me koronavirus.
“Kemi kuptuar se kontribuesit tanë janë duke u përballur me shumë gjëra në këtë moment, andaj kemi menduar se është në interesin më të mirë të vullnetarëve dhe organizatave tjera, që të shtyjmë datën standarde të lansimit”, ka thënë presidenti i kësaj Organizate, Matt Davis.
Megjithatë ai ka thënë publikimi i disa simboleve të reja do të ndodhë në vjeshtë të këtij viti, pasi për versionin 13.0 është kryer puna para pandemisë.
Në mesin e simboleve të reja është fytyra e maskuar dhe fluskat e çajit.
Numri i të infektuarve në Holandë rritet për 1,213
Numri i personave të infektuar në Holandë është rritur për 1,213 të enjten, duke e dërguar numrin total në 21,762, kanë thënë autoritetet e shëndetësisë, ndërkohë që numri i të vdekurve ka arritur në 148.
Në përditësimin e fundit të Institutit për Shëndet Publik në Holandë, numri i të vdekurve aktualisht në këtë shtet është 2,396.
Ky Institut ka përsëritur se shifrat reale janë më të mëdha, pasi jo të gjithë të infektuarit dhe të vdekurit janë konfirmuar përmes testimeve.