Kina mohon “fshehjen” e virusit dhe mbron OBSH-në
Qeveria kineze ka hedhur poshtë pretendimet “e padrejta” se ka tentuar “të fshehë” shpërthimin e koronavirusit në qytetin Vuhan.
Zhao Lijian, zëdhënës i ministrisë së Jashtme, ka thënë se Kina ka qenë “e hapur, transparente dhe e përgjegjshme” në informimin e botës rreth pandemisë.
Ai ka thënë se “ka kaluar pak kohë derisa kemi kuptuar” për virusin, i cili zyrtarisht është vërejtur në Vuhan, në provincën Hubei në fund të vitit të kaluar.
Ka shumë zëra se Kina ka fshehur shkallën e madje edhe ekzistencën e virusit në fazat e para.
Të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka akuzuar Kinën se nuk ka qenë transparente për shkallën e shpërthimit në Vuhan.
Të enjten, Lijian ka thënë se virusi mund të mos ketë origjinën në Vuhan dhe se mund të ketë shpërthyer “në secilin qytet, shtet apo rajon të botës”.
Ai po ashtu e ka mbrojtur Organizatën Botërore të Shëndetësisë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump e ka cilësuar si shumë “Kino-centrike”.
Masa të reja ndaj koronavirusit në komunat veriore
Shtabet e krizave për luftë kundër koronavirusit në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan, kanë marrë vendim që për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar në këto komuna, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 12:00 e mesditës e deri në orën 6:00 të mëngjesit.
“Ky vendim hyn në fuqi nga dita e premte dhe do të zgjasë 14 ditë”, ka thënë në një konferencë për media, kryeari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.
Ai ka shtuar se një vendim i tillë është marrë edhe në pajtim me Ministrinë e Shëndetësisë.
Nga kjo masë, siç ka deklaruar Rakiq, përjashtohen personat që janë të angazhuar në zinxhirin e furnizimit të qytetarëve me ushqim dhe ilaçe, shërbimet shëndetësore, institucionet e sigurisë, udhëheqja dhe personeli i komunave, si dhe anëtarët e shtabeve të krizave për shërbimet e nevojshme. Gjithashtu, sipas tij, nga kjo masë përjashtohen edhe qytetarët të cilët kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore.
Masat tjera të mëhershme mbeten në fuqi, përfshirë karantinat për komunat Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan, që nga 3 prilli, si dhe mosqarkullimi ndërmjet dy komunave që nga 7 prilli.
Numri i personave të infektuar me koronavirus vetëm në këto dy komuna është 30, ndërkaq në të gjitha mjediset e banuara me shumicë serbe, deri më tash janë 36 persona.
Deri të enjten, në të gjitha komunat e Kosovës është raportuar për 224 persona të prekur me koronavirus, duke përshirë 37 persona të shëruar dhe gjashtë të vdekur.
Psikologët thonë se është normale të ndjeheni të stresuar gjatë këtyre ditëve të izolimit, për shkak të koronavirusit.
Lexoni disa këshilla si ta tejkaloni atë.
Mbi 1.5 milion persona të prekur nga koronavirusi në botë
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i personave të infektuar me koronavirus në botë ka tejkaluar shifrën 1.5 milion.
Këto shifra tregojnë rritje prej gjysmë milioni në gjashtë ditë.
Numri i të prekurve mendohet se është shumë më i lartë, pasi shumica e personave janë duke u përballur me simptoma të lehta.
Pothuajse 90,000 persona kanë vdekur në gjithë botën dhe më shumë se 337,000 janë shëruar, disa të dhënave të këtij universiteti.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të prekurve, 432,000, të pasuara nga Spanja, Italia dhe Gjermania.
Italia deri më tani ka numrin më të madh të të vdekurve, 17,000, ndërkohë që më shumë se 15,000 persona kanë vdekur në Spanjë dhe mbi 10,000 të Francë.
Mbretëria e Bashkuar deri më tani ka më shumë se 7,000 të vdekur dhe mbi 60,000 të infektuar.