Në fondacionin BONEVET në Kosovë, të rinjtë janë duke prodhuar maska 3D për mbrojtje nga koronavirusi. Këto maska do t’iu shpërndahen punëtorëve shëndetësorë.
Hungaria zgjat pa afat kufizimin në lëvizje
Hungaria ka zgjatur masën e izolimit pa afat, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri, ka thënë kryeministri i këtij shteti, Viktor Orban.
Ky shtet deri më tani ka regjistruar 980 raste të prekura dhe 66 vdekje si pasojë e koronavirusit, ndonëse qeveria e ka pranuar se numri i të infektuarve mund të jetë shumë më i madh.
Kufizimet shtetërore në lëvizje, duke përjashtuar shkuarjen në punë, blerjen e ushqimit dhe ilaçeve ishin shtyrë më parë deri më 11 prill.
“Jemi duke shtyrë zbatimin e masave kufizuese. Jemi duke i shtyrë ato pa afat”, ka thënë Orban në një adresim përmes llogarisë së tij në Facebook.
“Ne do të analizojmë zbatimin e kufizimeve në baza javore”, ka thënë ai.
Orban u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat gjatë Festës së Pashkëve, duke anashkaluar mbledhjen në grupe.
Orban po ashtu u ka siguruar kryetarëve të qyteteve më shumë liri për të “marrë masa më të ashpra sa u përket komuniteteve respektive”.
Parlamenti i Hungarisë ka miratuar javën e kaluar një projektligj, përmes së cilit Orban ka fituar fuqi të reja, për të cilat ka insistuar se janë të domosdoshme për të luftuar pandeminë.
Megjithatë, kritikët besojnë se ky është vetëm arsyetim për të fituar më shumë pushtet.
Nëse nuk gjeni dezinfektues nëpër dyqane apo barnatore, mund ta bëni atë edhe vetë. Fundja, ata që nuk punojnë nga shtëpitë kontribuojnë kështu në luftim të koronavirusit.
Bota mund të përballet me "krizën më të rëndë ekonomike prej Depresionit të Madh"
Pandemia globale me koronavirus do të nxisë krizën më të rëndë ekonomike prej Depresionit të Madh, të periudhës 1929-1933 dhe do të kërkohet përgjigjje masive për rimëkëmbje, ka paralajmëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva, ka thënë se “rritja globale do të zvogëlohet negativisht më 2020”, pasi 170 nga 180 vendet anëtare të kësaj Organizate kanë raportuar për rënie të të ardhurave për kokë banori.
“Në fakt, ne mund të përballemi me krizën më të rëndë ekonomike prej Depresionit të Madh”, ka thënë Georgieva në një konferencë për media në Uashington, para takimit të javës së ardhshme të FMN-së dhe Bankës Botërore.
Këto takime do të zhvillohen virtualisht për shkak të kufizimeve të vendosura për shkak të sëmundjes Covid-19.
Georgieva ka thënë se aktualisht ekziston “paqartësi e jashtëzakonshme” dhe se situata me pandeminë “mund të përkeqësohet”.
Sipas FMN-së, një “rimëkëmbje e pjesshme” mund të ndodhë vitin e kaluar, nëse parashikimet për zbehje të virusit më vonë gjatë vitit janë të sakta.
Georgieva u ka bërë thirrje qeverive që të bëjnë më shumë për të ofruar “jetëgjatësi” për bizneset.
Kjo Organizatë do të publikojë më 14 prill raportin me parashikime për ekonominë e vendeve anëtare këtë vit dhe vitin e ardhshëm.