Nju Jorku, vendi më i prekur në botë nga koronavirusi
Nju Jorku ka më shumë raste të infektuara me koronavirus, sesa secili shtet tjetër jashtë Shteteve të Bashkuara, tregojnë të dhënat e fundit.
Ky shtet ka konfirmuar se aktualisht ka mbi 159,937 të infektuar, duke kaluar Spanjën, që ka 153,000 raste dhe Italinë me 143,000 raste.
Kina, vendi ku ka shpërthyer fillimisht virusi vitin e kaluar, ka raportuar për 82,000 raste të infektuara.
Në gjithë Shtetet e Bashkuara është thënë të jenë infektuar 462,000 persona nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, ndërkohë që kanë vdekur gati 16,500 persona.
Në gjithë botën nga kjo sëmundje janë prekur 1.6 milion persona dhe kanë vdekur 95,000 pacientë.
Por ndonëse Nju Jorku udhëheq për nga numri i të infektuarve, numri i vdekjeve në këtë shtet, 7,000 është më i ulët, sesa në Spanjë, 15,5000 dhe Itali 18,000, ndonëse është gati dyfish më i madh krahasuar me Kinën, 3,300.
Nëpër disa fotografi është parë se viktimat janë duke u varrosur nëpër varreza masive në Nju Jork.
Mjeku Anthony Fauci, anëtar kyç i task-forcës për koronavirus në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë për kanalin NBC se shifra përfundimtare e amerikanëve të vdekur nga sëmundja Covid-19, “duket se mund të jetë 60,000”.
Mirëmëngjes!
Keni kujdes dhe mbani distancën fizike. Procesi i infektimit është kaq i thjeshtë.
OBSH-ja shënon 100 ditët e sëmundjes Covid-19
Më 31 dhjetor të vitit 2019 – saktësisht 100 ditë më parë – Qeveria kineze ka raportuar te Organizata Botërore e Shëndetësisë për një “pneumoni me shkaktar të panjohur”.
Kjo sëmundje më vonë është quajtur Covid-19.
Fillimisht është vërejtur në Vuhan të Kinës dhe që atëherë ka infektuar më shumë se 1.5 milion persona, 90,000 prej të cilëve kanë vdekur.
Udhëheqësi i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka përmendur 100-ditëshin e sëmundjes në një konferencë për media.
Ai ka thënë se Covid-19 ka “rënduar sistemet shëndetësore, ka dëmtuar ekonominë globale dhe ka krijuar pengesa të mëdha shoqërore’.
Çfarë ka ndodhur në 100 ditët e fundit?
- 31 dhjetor 2019: Kina informon OBSH-në për “raste me pneumoni me shkaktar të panjohur” të vërejtur në Vuhan
- 11 janar: Kina raporton vdekjen e parë nga sëmundja Covid-19
- 12 janar: Kina shpërndan publikisht gjenin e sëmundjes
- 13 janar: Raportohet për rastin e parë të infektuar janë Kinës, në Tajlandë.
- 23 janar: Merret vendim për izolim të Vuhanit, qytet me 11 milionë banorë
- 30 janar: OBSH-ja shpall “gjendje emergjente për shëndetin publik me shqetësim ndërkombëtar”
- 7 shkurt: Vdes mjeku kinez, Li Wenliang, që ka tentuar të paralajmërojë botën për sëmundjen.
- 22 shkurt: Italia raporton rastet e para të vdekjes me koronavirus dhe prezanton masat e distancimit fizik
- 11 mars: OBSH-ja shpall koronavirusin pandemi globale
- 27 mars: Kryeministri britanik, Boris Johnson rezulton pozitiv me koronavirus, njëherësh kthehet në liderin e parë botëror të infektuar me këtë sëmundje.
Kryeministri britanik largohet nga kujdesi intensiv
Kryeministri britanik, Boris Johson është larguar nga kujdesi intensive të enjten, teksa vazhdon procesin e shërimit nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Johnson, 55-vjeçar, është shtruar në Spitalin Shën Tomasi të dielën në mbrëmje, pas kollës së vazhdueshme dhe temperaturës së lartë.
Lajmi se kryeministri britanik është jashtë kujdesit intensiv, është mirëpritur nga politikanët tjerë.
“Lajm i mirë”, ka thënë ministrja e parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, “lajm i mrekullueshëm” ka thënë Sekretarja për Tregti, Liz Truss.
Sekretari i Drejtësisë që vjen nga Partia Laburiste, David Lammy ka thënë : I lumtur të shoh që Johnson është larguar nga kujdesi intensiv, i gjithë shteti është duke i dëshiruar atij shërim të shpejtë, sa më shpejt që është e mundur”.