Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
09:48 10.4.2020

Gjermania përballet me rritje të re të numrit të të infektuarve

Numri i personave të infektuar me koronavirus në Gjermani, në 24 orët e fundit, është rritur për 5,323, duke e dërguar në 113,525 numrin total të të prekurve me këtë sëmundje.

Ky shtet ishte thënë të ketë parë një rënie të lehtë të numrit të të prekurve, megjithatë shifra e re ka shënuar ditën e katërt të rritjes së numrit të pacientëve të prekur me koronavirusin e ri.

Instituti për Sëmundje Infektive, Robert Koch ka njoftuar po ashtu se numri i të vdekurve ka arritur në 2,373.

Ky Institut në vazhdimësi raporton për shifra më të vogla në krahasim me ato të Universitetit Johns Hopkins.

Universiteti amerikan ka thënë se Gjermania ka 118,235 persona të infektuar dhe 2,607 të vdekur si pasojë e këtij virusi.

09:25 10.4.2020

Vdekjet po shtohen, Suedia vazhdon me eksperimentin e masave anti-COVID-19

Suedia, për dallim nga pjesa tjetër e Evropës, po përballet me COVID-19, pa izolim të shkallës së gjerë.

Aty jeta po vazhdon në mënyrë pothujse normale.

Këtë fillim pranvere, pamjet nga Suedia duken ndyshe nga ato të shumicës së vendeve tjera. Në kafene dhe bare, kafeja po servohet dhe tapat e birrave dëgjohen tek hapen. Çdo mëngjes, fëmijet shkojnë në shkolla derisa palestrat dhe rrugët me dyqane përreth, nuk janë të zbrazura sikurse në vendet tjera të kontinentit.

Pse Suedia po i reziston trendit evropian kundër koronavirusit?

Hollësitë i kuptoni duke klikuar këtu.

 

09:04 10.4.2020

BE-ja miraton paketën e shpëtimit

Ministrat e Financave në vendet e Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për paketën e shpëtimit në vlerë të 500 miliardë eurove, e cila synon t’iu ndihmojë vendeve evropiane të prekura më së keqi nga pandemia me koronavirus.

Udhëheqësi i Eurogrupit, Mário Centeno, ka njoftuar për arritjen e marrëveshjes, pas diskutimeve maratonike në Bruksel.

Ky vendim vjen pak pasi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka thënë se ky shtet është afër kalimit të fazës më të vështirë të pandemisë.

Spanja aktualisht ka numrin më të madh të personave të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, 152,446, ndërkohë që më shumë se 15,000 kanë vdekur.

Kryeministri francez, Bruno Le Maire, ka përshëndetur marrëveshjen, duke e konsideruar si planin më të rëndësishëm në historinë e BE-së.

“Evropa ka vendosur dhe është e gatshme për t’u përballur me gravitetin e krizës”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Udhëheqësja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieve ka paralajmëruar se bota përballet me krizën më të rëndë ekonomike prej periudhës së Depresionit të Madh, të viteve 1930.

08:41 10.4.2020

Arrihet pajtueshmëri për ulje të prodhimit të naftës

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), dhe vendet aleate janë pajtuar për të ndalur prodhimin e naftës për 10 për qind, me qëllim të luftimit të rënies së kërkesës pas izolimit të shkaktuar nga koronavirusi.

Ky grup ka thënë se në muajin maj dhe qershor do të zvogëlojë prodhimin për 10 milionë fuçi, për të ndihmuar në ngritje të çmimeve. Këto masa është thënë se do të lehtësohen në prill të vitit 2022.

OPEC Plus, që përbëhet nga vendet anëtare të OPEC-ut dhe aleatët, përfshirë Rusinë, kanë mbajtur të enjten video-konferencë për këtë çështje.

Bisedimet janë komplikuar si pasojë e mospajtimeve në mes të Rusisë dhe Arabisë Saudite.

Megjithatë ky grup është pajtuar për zvogëlimin e prodhimit ditor për 10 milionë fuçi. Ndërkohë pritet që kombet tjera të ndalin prodhimin e tyre ditor për 5 milionë fuçi.

Pas zhvillimit të një takimi në muajin mars, Arabia Saudite dhe Rusia patën rritur prodhimin e naftës, me qëllim të rikthimit të fitimeve në tregje, pas rënies së kërkesës në botë për këtë produkt.

Ky vendim, bashkë me zhvillimet e lidhura me koronavirusin e ri, kanë nxitur uljen e çmimit të naftës në nivelin më të ulët në 18 vjetët e fundit.

Së fundmi është parë përmirësim në çmime, sidomos pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump një javë më parë, i cili ka thënë se pret që Arabia Saudite dhe Rusia t’iu japin fund mospajtimeve.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG