Nju Jorku hap varreza masive për viktimat me koronavirus
Këto pamje me dron kanë shfaqur disa persona duke u varrosur në një varrezë masive në Nju Jork, teksa numri i personave të vdekur nga koronavirusi, vazhdon të rritet.
Procesi i shërimit të kryeministrit britanik ende në fazë të hershme
Kryeministri britanik Boris Johnson "po ndjehet mirë" pasi doli nga kujdesi intensiv, por shërimi i tij është në një fazë të hershme, ka thënë zëdhënësi i tij.
"Kryeministri sapo ka filluar shërimin e tij dhe ai do të marrë këshilla nga ekipi i tij mjekësor", ka njoftuar zëdhënësi i tij kur u pyet se kur do të kthehet në punë lideri britanik .
Johnson, 55-vjeçar, është shtruar në Spitalin Shën Tomasi të dielën në mbrëmje, pas kollës së vazhdueshme dhe temperaturës së lartë.
Ai ka njoftuar në fund të muajit mars se ishte infektuar me koronavirus. Simptomat e tij përfshinin temperaturë të lartë dhe kollë.
Dëbohen mijëra migrantë në kufirin SHBA-Meksikë
Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar më shumë se 6,300 migrantë pa dokumente në kufirin me Meksikën, duke shfrytëzuar kompetencat e gjendjes emergjente, me qëllim të luftimit të koronavirusit, kanë thënë zyrtarët.
Vendimi i marrë më 21 mars nga autoritetet e shëndetit publik, u lejon zyrtarëve që të hedhin poshtë ligjet për imigrimin.
Kritikët thonë se ky urdhër është duke u shfrytëzuar si zgjatim për të ashpërsuar politikat e imigrimit.
Ndërkohë është bërë e ditur se së fundmi ka rënë numri kalimeve kufitare për shkak të kufizimeve të vëna në këtë rajon.
Urdhri emergjent i Qendrës amerikane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, parasheh ndalim të hyrjes në SHBA për të huajt që konsiderohet se përbëjnë “rrezik serioz” në përhapjen e sëmundjes.
Kjo masë, e vënë fillimisht për 30 ditë, ka qenë e nevojshme për kufizuar përhapjen e sëmundjes Covid-19, që shkakton koornavirusi, ka thënë drejtori i kësaj Qendre, Robert R Redfield.
Aktualisht Shtetet e Bashkuara po përballen me numrin më të madh të të prekurve me koronavirusin e ri, 460,000, ndërkohë që 16,500 prej tyre tashmë kanë vdekur.
Spanja shënon numrin më të vogël të viktimave në 17 ditë
Numri i personave të vdekur nga koronavirusi në Spanjë ka shënuar sërish rënie, teksa brenda 24 orëve janë regjistruar 605 raste me fatalitet, ka thënë Ministria e Shëndëtësisë në këtë shtet.
Numri total i të vdekurve në Spanjë nga sëmundja Covid-19 që shkakton koronavirusi ka arritur në 15,843, ndërsa i të prekurve në 157,022.
Spanja është vendi i dytë pas Italisë për nga numri i vdekjeve për shkak të pandemisë me koronavirus.
Madridi mbetet rajoni i prekur më së keqi nga kjo sëmundje në këtë shtet.
Ndërkohë, deri më tani në Spanjë është bërë e ditur se 55,000 pacientë janë shëruar nga ky virus.