Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:27 10.4.2020

Rreth 1 mijë vdekje të reja në Francë

Rreth 1 mijë persona kanë vdekur në Francë gjatë 24 orëve të fundit nga sëmundja COVID-19.  Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka arritur në 13,119.

"Duket se po e arrijmë majën e shpërthimit të epidemisë", tha zyrtari i lartë shëndetësor, Jerome Salomon. 

Ministria e Shëndetësisë tha që 7,004 njerëz janë në kujdes intensiv.

 

19:49 10.4.2020

Mbi 100,000 të vdekur nga koronavirusi në botë

Numri i të vdekurve nga koronavirusi në botë e ka kaluar shifrën 100,000. 

Sipas Universitetit John Hopkins, të infektuar llogaritet të jenë 1.6 milionë njerëz. Numri i të shëruarve nga virusi ka arritur në 368,669

Koronavirusi i ri besohet të ketë origjinën nga një treg në Vuhan të Kinës, ku shiten kafshët e egra.

Rasti i parë u paraqit në Kinë, dhe virusi shpejt u përhap në mbarë botën.

Vdekja e parë ndodhi në qytetin kinez, Vuhan, më 9 janar. U deshën 83 ditë që të regjistroheshin 50,000 vdekjet e para, dhe vetëm tetë të tjera që numri i tyre të rritej në 100,000.

Numri është duke u përshpejtuar në një normë ditore midis 8% dhe 10%.

Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.

Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.

Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.

 

19:36 10.4.2020

Komuna e Prishtinës ka miratuar pakon ekonomike 


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se është miratuar pakoja ekonomike për të ndihmuar kryeqytetin në përballimin e pandemisë së koronavirusit. 

Ndër masat që janë miratuar përfshihet edhe lirimi nga pagesa për çerdhet publike për të gjithë prindërit, blerja e pajisjeve shëndetësore, lirimi nga qiraja për bizneset që ushtrojnë veprimtarinë në pronën publike komunale etj. 

 

 

19:18 10.4.2020

Mbi 4 mijë të infektuar gjatë 24 orëve të fundit në Turqi

Në Turqi gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 4, 747 persona me koronavirus. 

Numri i përgjithshëm i rasteve tani ka arritur në 47, 029. 

Gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 98 persona duke e rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 1,006, tha ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca. 
 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG