Fjoralba Krapi, një e re nga Prishtina na tregon përmes disa pamjeve të incizuara vetë se si po e menaxhon kohën në ditët e izolimit. Ushqimi i shëndetshëm dhe përzgjedhja e ambientit të punës, duket se janë ngjitur në listën e prioriteteve.
Turqia shpall izolim në dhjetëra qytete
Turqia ka shpallur një izolim 48-orësh në 31 qytete të vendit në një përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, njoftoi ministria e Brendshme.
Të gjithë banorët e Stambollit, Ankarasë dhe 29 qyteteve të tjera do të duhet të qëndrojnë në shtëpi, nga mesnata e së premtes deri pas mesnatës të së dielës, tha ministria.
Agjencia AP raporton se ndalimi u vendos për shkak të shqetësimeve, shumë njerëz mund të injorojnë udhëzimet e qeverisë për të qëndruar në shtëpi.
Deri më tani në Turqi nuk janë vendosur masat e përgjithshme të izolimit, por personat mbi 65 vjeç dhe nën 20 vjeç janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi.
Në SHBA shënohen 2 mijë vdekje brenda një dite
SHBA-ja është bërë vendi i parë në botë që regjistroi më shumë se 2,000 vdekje nga koronavirusr brenda një dite të vetme.
Shifrat nga Universiteti Johns Hopkins tregojnë se 2,108 njerëz vdiqën gjatë 24 orëve të kaluara ndërsa tani ka më shumë se gjysmë milioni njerëz të infektuar.
Ekspertët e grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë thonë se kurba e të infektuarve po fillon të rrafshohet në të gjithë SHBA-në.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai pret që SHBA-ja të ketë një numër më të ulët vdekjesh sesa parashikimet fillestare prej100,000 vdekjeve.
Konfirmohen edhe 23 raste me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 23 raste të reja me koronavirus në Kosovë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 250.
IKSHPK ka njoftuar se të premten janë shëruar edhe 14 persona duke e çuar numrin e të shëruarve në 52.
Shtatë persona kanë vdekur që nga paraqitja e rastit të parë me koronavirus më 13 mars.