OBSH-ja sërish u thotë vendeve të mos nguten me heqjen e kufizimeve
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi vendet që të jenë të kujdesshme në heqjen e kufizimeve të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri.
OBSH-ja do të dëshironte të shihte një lehtësim, por në të njëjtën kohë "heqja e kufizimeve mund të çojë në një ringjallje vdekjeprurëse të pandemisë", tha shefi i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për media.
Ai tha se kishte pasur një "ngadalësim" të epidemisë në disa vende evropiane si Italia, Gjermania, Spanja dhe Franca - por kishte pasur një "përshpejtim alarmant" në vende të tjera.
Kjo është hera e dytë që organizata iu bën thirrje vendeve të mos nguten me lehtësimin e masave të izolimit. Më 7 prill, zëdhënësi i saj, kishte thënë se kjo situatë, është e ngjashme me të qenit i sëmurë vetë.
“Nëse ngritesh shumë shpejt nga shtrati dhe vrapon shumë herët, rrezikon të biesh prapa dhe të kesh komplikime", kishte thënë zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier.
FMN-ja ka miratuar 52 milionë euro për Kosovën
Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka aprovuar të premten, financimin për Kosovën në vlerë prej 52 milionë euro, ka njoftuar ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, përmes llogarisë së tij në Facebook.
“Aprovimi i këtij financimi është bërë i mundur pas një serie të diskutimeve midis ekipit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe atij të FMN-së, mbi vlerësimin e ndikimit ekonomik dhe fiskal të masave që ndërlidhen me virusin Covid-19”, ka thënë Bislimi, duke shtuar se ky financim vjen në një kohë mjaft kritike për Kosovën.
Trump thotë se kufizimet do të hiqen pasi "vendi të jetë i shëndetshëm"
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ai e ka një datë në mendje se kur do të mund të hiqen kufizimet, mirëpo këtë do ta bëjë pasi "vendi të jetë i shëndetshëm".
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit duke mbyllur biznese dhe qytetarëve iu është bërë thirrje të mos dalin nga shtëpitë.
Në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se numri i rasteve të reja të koronavirusi në Shtetet e Bashkuara është duke u rrafshuar.
Të premten numri i vdekjeve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara arriti në 18.100.
"Ne jemi në gjendje të shkëlqyeshme në çdo mënyrë. Ne jemi në gjendje të shkëlqyeshme me ventilatorët, jemi në formë të shkëlqyeshme me veshje mbrojtëse", tha Trump.
Italia e shtyn masën e izolimit deri më 3 maj
Kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha të premten se qeveria do ta zgjasë bllokimin mbarëkombëtar deri më 3 maj, megjithëse disa lloje të dyqaneve do të lejohen të rihapen nga data 14 prill.
"Ky është një vendim i vështirë por i domosdoshëm për të cilin unë marr gjithë përgjegjësinë politike", tha Conte një konferencë për shtyp.
Izolimi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në Itali u vendos më 9 mars.