Policia e Kosovës thotë se 81 persona dyshohen për shkelje të masave anti-COVID-19
Policia e Kosovës ka njoftuar se 81 është numri i rasteve të dyshuara, për siç thuhet “mos veprim, të dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.
Kështu thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Numri më i madh i personave që nuk kanë zbatuar vendimin e qeverisë janë në Prishtinë, 35 persona, pasuar nga Gjakova me 31 persona.
Në Kosovë deri më tani 250 persona janë të prekur me koronavirusin e ri, 52 nga të cilët janë shëruar. Kurse shtatë persona kanë vdekur që nga paraqitja e rastit të parë me koronavirus më 13 mars.
Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Pesë raste të reja në Mal të Zi
Mali i Zi ka regjistruar pesë raste të reja me koronavirus, njoftoi në mëngjes Instituti i Shëndetit Publik.
Të pesë rastet janë nga Podgorica.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend ka arritur në 262.
Tenori kosovar Ramë Lahaj së bashku me sopranon, Inva Mula, kanë kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi gjatë pandemisë. Këtë e kanë bërë përmes këngës.
Mbretëria e Bashkuara ende nuk mund t'i lehtësojë kufizimet
Mbretëria e Bashkuar ende nuk e ka arritur kulmin e epidemisë së COVID-19 që do të lejonte lehtësimin e kufizimeve, tha ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock.
Numri i vdekjeve nga koronavirusi në spitalet britanike ka arritur në gati 9,000.
Në mesin e atyre që janë infektuar është edhe kryeministri Boris Johnson, i cili po shërohet në spital pasi kaloi tre net në kujdesin intensiv.
Zyra e tij tha që ai po përmirësohej dhe ishte ngritur përsëri në këmbë, megjithëse shërimi i tij është ende në një fazë të hershme.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve nga koronavirusi në Britani të Madhe ka arritur në 74,605.