OBSH-ja po shqyrton raportet për rastet që po dalin sërish pozitiv në COVID-19
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha të shtunën se po shqyrtonte raportet e disa pacientëve me COVID-19, të cilët në testin e dytë dolën pozitiv edhe pse më parë kishin dalë si negativ.
Zyrtarët e Koresë së Jugut raportuan se 91 pacientë për të cilët ishte menduar se janë shëruar nga koronavirusi i ri, kishin dalë përsëri pozitiv në testim.
Jeong Eun-kyeong, drejtor i Qendrave Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha në një konferencë, se virusi mund të jetë "riaktivizuar" në trupat e tyre.
Në pyetjen e Reuters-it lidhur me këtë çështje, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se "janë të vetëdijshëm për këto raporte".
"Këto raste ne po i shqyrtojmë për së afërmi me ekspertët tanë klinikë dhe po punojmë shumë për të marrë informacione për ato raste individuale. Është e rëndësishme që kur grumbullohen mostrat e testimit nga pacientët e dyshuar, të ndiqen procedurat ashtu siç duhet", thotë OBSH-ja
Sipas udhëzimeve të OBSH-së për menaxhimin klinik, një pacient mund të lirohet nga spitali pas dy rezultateve të njëpasnjëshme negative, me distancë kohore të testimit të paktën 24 orë.
Sipas OBSH-së tek rastet me simptoma të buta, ekziston një periudhë prej rreth dy javësh midis fillimit të simptomave dhe shërimit klinik të pacientëve.
Zyrtarët shëndetësorë të Koresë së Jugut thanë të premten se mbetet e paqartë se çfarë fshihet pas këtij trendi, dhe se hetimet epidemiologjike janë duke vazhduar.
Megjithatë, OBSH-ja thotë se "meqenëse COVID-19 është një sëmundje e re, kemi nevojë për më shumë të dhëna epidemiologjike për të nxjerrë ndonjë përfundim".
Numri i vdekjeve në botë nga koronavirusi ka arritur në mbi 100 mijë ndërkaq numri i të infektuarve mbi 1.6 milion.
Llogaritet se nga sëmundja janë shëruar mbi 370 mijë njerëz.
Prodhuesit në krizë, kërkojnë ndihmë nga qeveria
Industria e prodhimit, konkretisht ajo e përpunimit të ushqimit në Kosovë, ka zvogëluar kapacitet prodhuese, për shkak të rënies se fuqisë blerëse, pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19, thonë përfaqësues të bizneseve dhe afaristë prodhues në Kosovë.
Për të rikuperuar dëmet financiare ata po kërkojnë përkrahje financiare nga qeveria.
Qeveria e Kosovës, në vendimin e 13 marsit për ndërprerjen e veprimtarisë së disa bizneseve, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që shkakton sëmundjen COVID-19, nuk ka ndaluar punën e sektorit të përpunimit të ushqimit, por ka urdhëruar që të kenë kujdes të shtuar.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Vazhdon rënia e numrit të viktimave në Spanjë
Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Spanjë ka shënuar rënie për tre ditë rradhazi. Të shtunën u raportua për 510 viktima të reja , tha në një deklaratë, ministria e Shëndetësisë.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga COVID-19 ka arritur në 16.353.
Sa i përket numrit të të infektuarve, autoritetet njoftuan se ai ka shkuar në mbi 161 mijë.
FMN: Ekonomia e Kosovës do të tkurret për 5 për qind
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) thotë se për shkak të pandemisë së koronavirusit, ekonomia e Kosovës do të “goditet rëndë” dhe pritet të tkurret për 5 për qind.
Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.