Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:58 11.4.2020

Në Shqipëri konfirmohen 17 raste të reja me koronavirus

Në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 259 persona prej të cilëve 17 kanë dalë pozitiv në sëmundjen COVID-19. 

Kështu njoftoi zëvëndësministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Mira Rakacolli. 

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 433.  

Nga sëmundja deri më tani në Shqipëri kanë vdekur 23 persona. 

Sa i përket numrit të të shëruarve, ministrja Rakacolli tha se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 15 pacientë të shëruar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 197. 

 

13:48 11.4.2020

Shkon në 831 numri i vdekjeve në Zvicër

Në Zvicër numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri ka arritur në 831, tha të premten ministria e Shëndetësisë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend ka arritur në 24.900.

Më 8 prill autoritetet njoftuan po planifikojnë të lehtësojë masat që janë ndërmarrë për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

Lehtësimi i masave, mund të bëhet duke filluar nga fundi i prillit.

"Ne e dimë se këto masa janë të vështira për ekonominë dhe njerëzit, por ne kemi planifikuar t'i lehtësojmë ato nga fundi i prillit", tha ministri i Shëndetësisë Alain Berset.

13:35 11.4.2020

ASHNA: Një aeroplan bëri simbolin e zemrës në qiellin e Kosovës

Në hapësirën ajrore të Kosovës , aeroplani i kompanisë Chair në linjën Cyrih- Prishtinë, ka bërë simbolin e zemrës, si shenjë përkrahjeje për Kosovën, në kohën kur vendi po përballet me koronavirusin e ri, ka njoftuar Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës (ASHNA).

“E jashtëzakonshme në Hapësirën Ajrore të Republikës së Kosovës! Sot më kërkesë të pilotit dhe me miratim të kontrollorit të trafikut ajror, aeroplani i kompanisë Chair në linjën Cyrih - Prishtinë bëri simbolin e zemrës në qiellin e Kosovës si shenjë përkrahjeje për vendin tonë në këto momente të vështira për gjithë në, si rrjedhojë e virusit COVID-19”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

 

13:21 11.4.2020

Serbia e mban të fshehtë numrin e ushtarëve të infektuar me koronavirus

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin ka thënë se informacioni mbi numrin e ushtarëve serbë të sëmurë me COVID-19 nuk do të publikohet.

Ai i tha TV Happy se "99.9 përqind" e ushtarëve me COVID-19 kanë simptoma më të buta të sëmundjes dhe janë në karantinë.

Duke folur për situatën e pandemisë në Serbi, ai u ndal te çështja e migrantëve.

Vulin tha se asnjë migrant nuk është infektuar me koronavirus në qendrat e pritjes në Serbi, të cilat sigurohen nga ushtria.

"Më shumë se 8,000 migrantë në vendin tonë janë në 18 qendra pritjeje. Ata kanë gjithçka që u nevojitet, por nuk ka rrugëdalje. Ajo është një karantinë dhe ata duhet tëqëndrojnë brenda", tha Vulin.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG