Mbi 60 kosovarë pritet të futen në karantinë
Në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, që është shndërruar së fundmi në karantinë për shkak të shpërthimit të koronavirusit, do të vendosen edhe 66 qytetarë.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas tij shtetasit kosovarë pritet të arrijnë nga Kroacia në Kosovë në orët e mbrëmjes.
“Janë 66 kosovarë, të cilët janë duke ardhur nga Kroacia. Ata pritet të mbërrijnë rreth orës 19:00”, ka thënë Hoti përmes telefonit.
Në Qendrën e Studentëve, aktualisht janë të vendosur rreth 400 qytetarë. Ata janë vendosur në ambiente të konvikteve pasi kanë arritur nga vendet tjera në Kosovë.
Në gjithë Kosovën është raportuar për 250 persona të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, 52 janë shëruar derisa 7 të tjerë kanë vdekur.
Ferizaj futet në karantinë
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të shtunën se edhe Komuna e Ferizajt do të futet në karantinë.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Albion Sherifi.
“Me propozim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë sot vendim për të shpallur Komunën e Ferizajt - zonë karantine. Në krye të detyrës është shtabi emergjent që po punon me kapacitete të plota. Kemi një lutje apo apel për qytetarët ferizajas që të qëndrojnë në shtëpi duke mos rrezikuar as veten as familjet e tyre e as shoqërinë në përgjithësi. Janë marrë mostrat edhe nga 65 persona të tjerë në Ferizaj, po presim rezultatet nga IKShPK”, ka thënë Sherifi.
Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu është thënë të ketë pranuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ky vendim ka ardhur pasi të premten është raportuar për 18 persona të infektuar me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Deri më tani në këtë qytet janë infektuar 20 persona me këtë virus, derisa në gjithë Kosovën është raportuar për 250 persona të prekur nga kjo sëmundje, 52 janë shëruar derisa 7 të tjerë kanë vdekur.
Si do t’i ndikojë pandemia furnizimet globale me ushqim?
Ajo luleshtrydhe që jeni duke ngrënë derisa jeni të vetizoluar nga koronavirusi?
Shanset janë të ketë ardhur nga një fermë. Ose, mund të ketë ardhur nga një operacion i madh bujqësor shumë, shumë kilometra larg shtëpisë suaj. Mund të jetë vjelur me dorë, ndoshta nga punëtorë migrantë, dhe të jetë sjellë nga qyetet tjera, e ndoshta edhe shtetet.
Por, a do të mund të vazhdojnë sistemet t’ju sjellin luleshtrydhe derisa pandemia globale e koronavirusit vazhdon? Ose bukën? Pastat apo vajin e gatimit?
Koronavirusi tashmë e ka nxjerrë ekonominë globale jashtë kontrollit. Dhjetëra-miliona njerëz kanë dalë nga puna, pasi fabrikat nga Vuhani deri në Bavari i kanë pezulluar operacionet.
Çfarë do të thotë kjo për ushqimin që hamë?
Artikullin e plotë e gjeni këtu:
Regjistrohen 170 të infektuar në një spital në Rusi
Testimet fillestare në një spital në Rusi me 1,100 pjesëtarë të stafit mjekësor dhe pacientë të shtruar, kanë treguar se 170 persona janë prekur nga koronavirusi i ri.
Agjencia shtetërore e lajmeve, RIA Novosti, sipas të përditshmes në gjuhën agleze, Moscow Times, ka thënë se zyrtarët rusë të shëndetësisë do të testojnë të 170 personat për herën e dytë për të “konfirmuar apo hedhur poshtë” rezultatet.
Spitali Kuvatov në qytetin Ufa ka qenë subjekt i izolimit të ashpër nga dita e hënë.
Ky vendim është marrë pasi të paktën pesë mjekë dhe dy pacientë janë sëmurë dhe kanë pasur simptome të koronavirusit.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, deri të shtunën në Rusi është raportuar për 13,584 persona të infektuar dhe 106 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.