Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:58 12.4.2020

Koronavirusi kufizon shënimin e Festës të Pashkëve

Festimet e së dielës për Pashkët janë duke u zhvilluar në gjithë botën, ndonëse miliarda persona janë izoluar në shtëpitë e tyre, çka ka ndikuar në anulim të ceremonive tradicionale dhe vizitave të rregullta në kishë.

Papa Françesku ka anuluar meshën tradicionale të së dielës së Pashkëve, një ngjarje që mbush Vatikanin me gati 80,000 besimtarë.

Në vend të kësaj, kreu i Kishës Katolike ka dhënë mesazhin e tij përmes platformave online.

“Mos kini frikë, mos iu dorëzoni frikës: ky është mesazh i shpresës. Po na adresohet neve sot”, ka thënë Papa.

Ai po ashtu u ka kërkuar njerëzve që të jenë “përcjellës të jetës në kohë të vdekjes”.

Autoritetet u kanë bërë thirrje besimtarëve në shumë shtete që të përdorin shërbimet e videoeve për të festuar Pashkët, duke paralajmëruar se virusi vdekjeprurës mund të shpërndahet nga ata që shkelin izolimin dhe distancimin fizik.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 1.77 milion banorë janë infektuar dhe 108,880 kanë vdekur si pasojë e përhapjes koronavirusit të ri në gjithë botë.

23:34 11.4.2020

Qeveria e Kosovës fut Prishtinën në karantinë

Qeveria e Kosovës ka vendosur në orët e vona të së shtunës që Prishtina të shpallet zonë karantine, pas konfirmimit të 20 rasteve të reja me koronavirus.

Përmes këtij vendimi ndalohen hyrjet dhe daljet në Komunën e Prishtinës derisa qarkullimi brenda qytetit ndalohet nga ora 17:00 deri në 6:00 të mëngjesit, përveç “për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim, barna për njerëz dhe kafshë e shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e epidemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore)”.

Sipas këtij vendimi, tri lagje të kryeqytetit vlerësohet se janë vatra të përhapjes së koronavirusit: lagjja Mati 1, (Rruga Ndue Përlleshi), Lagja Tophane, (Rruga Lidhja e Prizrenit) dhe Veterniku.

Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka paralajmëruar ashpërsim të masave në lagjet ku ka më shumë qytetarë të prekur me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Autoritetet kanë paralajmëruar se do të mbajnë konferencë të jashtëzakonshme për media të dielën për të njoftuar për masat e reja.

Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, në gjithë Kosovën është raportuar për 283 persona të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, 52 janë shëruar derisa 7 të tjerë kanë vdekur.

22:01 11.4.2020

Rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar të shtunën se janë konfirmuar 33 raste të reja me koronavirus.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet prej tyre (20) raste me vendbanim në Prishtinë, tre (3) me vendbanim në Prizren, (3) rast në vendbanimet Viti, dy (2) me vendbanim në Mitrovicë të veriut, dy (2) me vendbanim në Skenderaj dhe nga një në Suharekë, Zubin Potok dhe Zveçan”, është thënë në njoftim.

Ky Institut ka njoftuar edhe për shërimin e gjashtë pacientëve, duke e rritur numrin total të tyre në 58.

Deri më tani në Kosovë, nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi kanë vdekur shtatë persona.

Pas rasteve të fundit të konfirmuara, autoritetet kanë futur në karantinë Prishtinën dhe Ferizajn.

Autoritetet kanë paralajmëruar se do të mbajnë konferencë të jashtëzakonshme për media të dielën për të njoftuar për masat e reja.

20:51 11.4.2020

Prishtina futet në karantinë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka marrë vendim për shpalljen e Prishtinës si zonë karantine, duke ndaluar hyrjet dhe daljet në këtë komunë.

Ai është thënë të ketë marrë këtë vendim në konsultim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe pas konfirmimit të marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për 27 raste të reja të prekura me sëmundjen Covid-19 që shkakton koronavirusi.

Në një komunikatë për media është thënë se 20 nga 27 personat e prekur janë nga Prishtina.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se ditëve në vijim do të ashpërsohen masat, pasi që sipas tij, qyteti po hyn në fazë kritike.

“Ditë jo e mirë për Prishtinën. Nga 25 kontaktet e personit të infektuar ditë më herët, 20 janë testuar pozitiv sot. Lajmi i mirë është që të gjitha janë kontakte të personit të infektuar. Lajmi i keq është se tani duhet të shtojmë masat restriktive në Prishtinë”, ka shkruar Ahmeti.

Ai po ashtu ka thënë se masat e shtuara do të vërehen në lagjen Mati 1 dhe se policia nuk do të lejojë grumbullimin e më shumë se dy personave.

Autoritetet kanë paralajmëruar se do të mbajnë konferencë të jashtëzakonshme për media të dielën për të njoftuar për masat e reja.

Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, në gjithë Kosovën është raportuar për 277 persona të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, 52 janë shëruar derisa 7 të tjerë kanë vdekur.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG