Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:17 12.4.2020

Në Kosovë 117 persona dyshohen për shkelje të masave anti-COVID-19

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 117 persona dyshohen se nuk kanë respektuar masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Numri më i madh i personave që nuk kanë zbatuar vendimin e qeverisë janë në Prishtinë, 58 persona, pasuar nga Prizreni me 32 persona.

Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, në gjithë Kosovën është raportuar për 283 persona të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, 58 janë shëruar derisa 7 të tjerë kanë vdekur.

Për shkak të koronavirusit të ri, Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

12:59 12.4.2020

Nga një krizë virusi në një krizë ekonomike

Kosova është në krizë ekonomike, por pas pandemisë të shkaktuar nga virusi COVID-19, do të futet në një krizë edhe më të thellë, thonë ekspertë të fushës së ekonomisë.

Kosova e cila ka pasur një rritje ekonomike mesatarisht rreth 4 për qind ka qenë e pamjaftueshme për të zbutur papunësinë dhe problemet ekonomike dhe sociale.

Se pas pandemisë së koronavirusit, problemet do të përkeqësohen, e thonë edhe ekspertë, pasi që sipas parashikimeve edhe të Bankës Qendrore të Kosovë do të ketë një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4 për qind. Ndërkaq, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas pandemisë, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind.

Masat e marra deri më tani nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar ekonominë konsiderohen të pamjaftueshme dhe me vonesa në zbatimin e tyre.

Pse mendojnë ata kështu?

Materialin e plotë e gjeni këtu

12:09 12.4.2020

Rritet numri i viktimave nga koronavirusi në Spanjë

Gjatë 24-orëve të fundit, në Spanjë është rritur numri i viktimave nga koronavirusi i ri, duke u shënuar 619 vdekje të reja.

Ky lajm vjen, pasi Spanja për tri ditë rresht shënoi rënie të numrit të vdekjeve nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Sipas Ministrisë spanjolle të Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i vdekjeve ka shkuar në 16,972, ndërkaq numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 161,852.

Spanja është vendi i tretë në botë me numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi, pas Shteteve të Bashkuara dhe Italisë.

11:37 12.4.2020

Izraeli ashpërson masat në Jerusalem për shkak të COVID-19

Qeveria izraelite ka miratuar masa më të ashpra të karantinës në disa pjesë të Jerusalemit, përfshirë edhe pjesën historike të Qytetit të Vjetër, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit në këtë qytet.

Komiteti i ministrave miratoi ndalimin e qarkullimit në disa zona ultra-ortodokse të qytetit për ta ndaluar përhapjen e mëtejme të sëmundjes COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi, raporton AP.

Masat e ndërmarra hyjnë në fuqi mesditën e së dielës. Qytetarët nuk do të mund të lëvizin pa pasur leje të posaçme. Lëvizja do të lejohet vetëm për punë të domosdoshme dhe për kujdes shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë së Izraelit ka thënë se janë mbi 10 mijë raste me koronavirus, ndërsa mbi 100 pacientë kanë vdekur. Rreth një e pesta e rasteve janë në Jerusalem, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG