Bahtiri kërkon që edhe Mitrovica të futet në karantinë
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të marrë vendim për të aplikuar masën e karantinës edhe për këtë komunë.
Në rrjetin social Facebook, Bahtiri ka shkruar se një masë e tillë duhet të merret, pasi komunat tjera me të cilat kufizohet Mitrovica e Jugut, tashmë kanë raste me koronavirus.
“Për shkak të kësaj situate që gjendemi të rrethuara me komuna ku ka shumë raste me COVID-19, për ta mbrojtur edhe më shumë qytetin tonë kërkoj urgjentisht nga ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia që të marrë vendim për ta aplikuar masën e karantinimit edhe për qytetin e Mitrovicës”, ka shkruar Bahtiri.
Qeveria e Kosovës më 11 prill ka vendosur të fusë në karantinë qytetin e Prishtinës, pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19. Po ashtu në karantinë më 11 prill janë vendosur edhe Ferizaj dhe Suhareka.
Foto nga Kumanova, qyteti më i goditur nga COVID-19
Në Maqedoninë e Veriut, qyteti i Kumanovës ka numrin më të madh të personave që kanë humbur jetën nga sëmundja COVID-19. Në dhjetë ditët e fundit, në këtë qytet po aplikohen kufizime të rrepta të lëvizjes për të parandaluar përhapjen e këtij virusi. Radio Evropa e Lirë ju sjell fotografi nga Kumanova, të bëra më 12 prill.
Rusi: Regjistrohet rritja më e madhe e të infektuarve në një ditë
Rusia ka raportuar të dielën 2,186 raste të reja me koronavirus, apo numrin më të madh në 24 orë, prej ditës kur ka shpërthyer kjo sëmundje në territorin rus.
Duke përfshirë shifrat e reja, numri total i të prekurve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi ka arritur në 15,770.
Qendra ruse për përgjigjje ndaj koronavirusit ka njoftuar po ashtu se brenda ditës janë regjistruar edhe 24 vdekje, duke e rritur në 130 numrin e viktimave në këtë shtet.
Shkon në 828 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoni të Veriut
Ka arritur në 828 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 68 raste të reja me COVID-19 që përfshijnë nëntë qytete, ndërsa numri më i madh i tyre është në Kumanovë (18), Shkup (15), Prilep (14), Strugë (dhjetë).
Gjendja e të prekurve është stabile përveç 26 rasteve që ndodhen në aparate të frymëmarrjes në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë kryer 404 teste që e çojnë në 8,057 numrin e testeve të kryera për sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Të dielën, siç ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, nuk janë regjistruar viktima të reja dhe numri i vdekurve mbetet 34, shumica e të cilëve janë nga Shkupi dhe Kumanova.
Numri i personave të shëruar ka arritur në 41. Ndërkohë, nga disa qendra të karantinës shtetërore janë lëshuar 280 persona të cilët do t’iu nënshtrohen izolimit shtëpiak prej 14 ditëve.