Kthimi në normalitet në SHBA mund të nisë në maj
Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA, tha se është e mundur që disa pjesë të këtij vendi të nisin t’i kthehen normalitetit “ndoshta muajin e ardhshëm”.
Shumica e shteteve të SHBA-së kanë lëshuar urdhrin e qëndrimit në shtëpi dhe kanë mbyllur shumë biznese, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe të viktimave nga koronavrusi: mbi 530,000, përkatësisht mbi 20,000.
Kthimi në normalitet, tha Faucci, "do të varet nga vendi ku jeni, nga natyra e shpërthimit që keni përjetuar tashmë dhe nga kërcënimi i një shpërthimi që mund të mos e keni përjetuar".
Faucci, duke folur në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, po ashtu shfaqi shpresën se zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 3 nëntor, ashtu siç është e planifikuar.
Pse shpërthimi i SARS-it më 2003 ka qenë më pak vdekjeprurës?
Më 2003, një koronavirus që ka vrarë një në 10 pacientë të infektuar, ka pasur origjinën në Kinë, mirëpo është shpërndarë edhe në shumë shtete tjera.
Më pas, brenda tetë muajve të infektimit, ai është zhdukur papritur.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur një prej virologëve më të mirë në botë, se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.
Për më shumë mund të lexoni këtu.
Afro 4,500 të vdekur nga koronavirusi në Iran
Numri i të vdekurve si pasojë e koronavirusit në Iran është rritur për 117 brenda 24 orëve, duke e çuar në 4,474 numrin total, ka njoftuar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianush Jahanpur.
Ky shtet ka regjistruar 71,686 raste të prekura me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen Covid-19.
Prej tyre, 1,657 janë konfirmuar të shtunën, ka thënë Jahanpur.
Irani është shteti i goditur më së keqi nga pandemia e koronavirusit në Lindjen e Mesme.
Shumë iranianë dhe ekspertë ndërkombëtarë besojnë se Qeveria iraniane, e cila është kritikuar për përgjigjje të zbehtë, është duke i zvogëluar shifrat e të prekurve nga sëmundja.
Autoritetet i kanë rihapur bizneset që përbëjnë “rrezik të ulët” në disa pjesë të shtetit, por jo edhe në Teheran.
Qeveria iraniane është e shqetësuar se masat për të mbyllur bizneset dhe për të ndalur aktivitetet ekonomike, me qëllim të kontrollimit të sëmundjes, mund ta shkatërrojnë ekonominë edhe ashtu të dëmtuar nga sanksionet ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë humanitare për Iranin, mirëpo liderët shtetërorë e kanë kundërshtuar atë, duke kërkuar heqje të sanksioneve.
Kryeministri britanik del nga spitali
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka dalë nga spitali, pasi është trajtuar për koronavirus, ka njoftuar të dielën Qeveria britanike.
Johnson, 55 vjeç, është shtruar në spitalin St Thomas të Londrës të dielën e kaluar – dhjetë ditë pasi ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
Tre net i ka kaluar në kujdes intensiv.
Qeveria britanike ka thënë se kryeministri do të vazhdojë shërimin në rezidencën e tij.
“Me këshillën e ekipit mjekësor, kryeministri nuk do të kthehet menjëherë në punë. Ai dëshiron t’i falënderojë të gjithë në spitalin St Thomas për kujdesin e shkëlqyer që ka pasur”, thuhet në deklaratën e Qeverisë britanike.
E fejuara e kryeministrit, Carrie Symonds, e cila po pret një fëmijë, ka shkruar në Twitter:
"Faleminderit të gjithëve që dërguan mesazhe mbështetjeje. Sot ndihem jashtëzakonisht me fat”.
Symonds është vetizoluar me simptoma të ngjashme me koronavirusin, por nuk është testuar.