Tre pacientë me koronavirus në Klinikën Infektive, në gjendje të rëndë
Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 44 persona të infektuar me COVID-19 – sëmundjen që e shkakton koronavirusi – ka bërë të ditur infektologu Valbon Krasniqi.
Tre prej tyre janë në kujdes intensiv, ndërsa 7 të tjerë, sipas Krasniqit, kanë nevojë për oksigjeno-terapi.
“Në Klinikën [Infektive] aktualisht janë të shtrirë 44 pacientë të infektuar me koronavirus. Duhet të përmendet se gjendja e tre pacientëve është më e rënduar, pasi që janë në respiratorë. Po ashtu janë edhe shtatë pacientë të tjerë që kanë nevojë për oksigjeno-terapi”, ka thënë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se pas testimeve që janë duke u bërë, mund të ketë edhe të prekur të tjerë me koronavirus.
Në Kosovë aktualisht janë të infektuar 283 persona. Deri më tani, 58 janë shëruar dhe shtatë kanë vdekur.
Në mesazhin e Pashkëve, Papa bën thirrje për solidaritet global
Papa Françesku bëri thirrje të dielën për solidaritet global në luftën kundër koronavirusit.
“Kjo nuk është koha për indiferencë, sepse e gjithë bota është duke vuajtur dhe duhet të jetë e bashkuar”, tha Papa në mesazhin e tij për Pashkët, të lexuar në Bazilikën e zbrazët të Shën Pjetrit.
Mesazhi u transmetua drejtpërdrejt online.
"Kjo nuk është kohë për vetëpërqendrim, sepse sfida me të cilën përballemi ndahet nga të gjithë", tha kreu i Selisë së Shenjtë.
"Indiferenca, vetëpërqendrimi, ndarja dhe harresa nuk janë fjalë që duam t'i dëgjojmë në këtë kohë. Ne duam t'i ndalojmë këto fjalë përgjithmonë", shtoi ai.
Papa po ashtu paralajmëroi se BE-ja rrezikon të shpërbëhet dhe bëri thirrje për lehtësimin e borxheve për vendet e varfra.
Pa përmendur ndonjë vend specifik, Papa bëri thirrje për zbutjen e sanksioneve ndërkombëtare dhe lavdëroi mjekët, infermierët dhe punëtorët e tjerë, që vazhdojnë të mbajnë në funksion shërbimet themelore.
Besimtarët katolikë festojnë të dielën Pashkët, por shërbimet janë mbajtur në kisha të mbylluara, pasi miliona njerëz janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Mbi 10,000 viktima nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar
Zyrtarët shëndetësorë thanë se edhe 657 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Angli, duke e rritur numrin e përgjithshëm të viktimave në Mbretërinë e Bashkuar në mbi 10,000.
Shifra e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit nuk i përfshin vdekjet në Skoci, Uells dhe Irlandën Veriore.
Shifra të përditësuara për gjithë Mbretërinë e Bashkuar pritet të dalin më vonë.
Numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në Evropë e kanë: Itala (19,468), Spanja (16,972) dhe Franca (13,832).
Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, kanë mbi 20,000 viktima dhe 530,000 të infektuar.
Mbretëria e Bashkuar ka të ngjarë të jetë në mesin e vendeve më të prekura në Evropë, ka thënë Jeremy Farrar, një nga këshilltarët shkencorë të Qeverisë britanike.
Disa këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë: