Kurti kërkon ndihmën e diasporës për luftën kundër COVID-19
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët që ta ndimojnë qeverinë me mjete financiare, për ta luftuar koronavirusin.
Në një video drejtuar diasporës, të postuar në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka njoftuar se qeveria ka hapur një xhirollogari të posaçme, dedikuar menaxhimit të pandemisë.
Të gjitha mjetet, sipas tij, do të shkojnë në mbështetje të të gjitha aktiviteteve të ministrive, të cilat kanë nevojë financiare shtesë për ta zvogëluar ndikimin e pandemisë në sektorin e caktuar.
“Të dashur bashkatdhetarë, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë, ju bëj thirrje që edhe këtë herë të bëheni pjesë e solidaritetit, ndoshta më shumë se kurdoherë më parë, dhe të na ndihmoni në luftën kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]. E kemi parasysh që pandemia ju ka prekur edhe juve në mërgatë, e edhe të afërmit tuaj në Kosovë. Mirëpo, si gjithnjë, kur kemi qëndruar së bashku, edhe këtë herë do t’ia dalim së bashku”, ka thënë Kurti.
Në Kosovë aktualisht janë të infektuar 283 persona me koronavirus. Deri më tani, 58 janë shëruar dhe shtatë kanë vdekur.
Autoritetet tashmë kanë ndërmarrë disa masa për frenimin e përhapjes së sëmundjes, përfshirë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik dhe futjen në karantinë të kryeqytetit – Prishtinës.
Infografikë:
Guvernatori i Nju Jorkut: Duam të rihapemi sa më shpejt
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha se dëshiron që ky shtet të rihapet “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Nju Jorku dhe shumë shtete të tjera të SHBA-së janë izoluar, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Shkollat dhe shumica e bizneseve janë mbyllur.
"Ne duhet të jemi të zgjuar në mënyrën se si rihapemi", tha Cumo.
Ai bëri thirrje për qasje të koordinuar midis shteteve fqinje, për më shumë testime dhe për ndihmë nga organet federale.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në botë: mbi 20,000.
Në mesin e tyre prin Nju Jorku me mbi 6,300 të vdekur.
Cuomo tha se numri i pranimeve të reja në spitalet e Nju Jorkut është duke rënë.
Ahmeti: Nëse rriten rastet me COVID-19, mjekësia kosovare do të ketë probleme
Qasja ndaj pacientëve me COVID-19 është një sfidë e veçantë për stafin mjekësor, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë infektologu kosovar, Sali Ahmeti.
Ai thotë se rreziku i infektimit për punonjësit shëndetësorë është vazhdimisht i pranishëm.
Karahasuar me vendet e tjera, Kosova qëndron më mirë me numrin e rasteve të konfirmuara, thotë Ahmeti, i cili pret që gjatë muajit maj të ketë zvogëlim të numrit të rasteve.
Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.