Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
23:03 12.4.2020

Edhe 79 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Në Kosovë janë regjistruar të dielën edhe 79 raste të reja me koronavirus, që është numri më i lartë i regjistruar në 24 orë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tha se rastet e reja kanë rezultuar nga 250 mostra të testuara gjatë ditës.

Rastet pozitive janë raste kontakti, ndërsa numri më i madh i tyre është në Komunën e Ferizajt, ku janë konfirmuar 35 raste të reja, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Me shifrat e reja, numri total i të infektuarve në Kosovë shkon në 362.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, 59 pacientë janë shëruar dhe shtatë kanë vdekur.

Kosova i ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars.

22:22 12.4.2020

Shefja e BE-së: Të moshuarit mund të izolohen deri më 2021

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se të moshuarit mund të mbeten të izoluar deri vitin e ardhshëm, për t’u mbrojtur nga infektimi me koronavirus.

“Duhet ta kufizojmë sa më shumë që është e mundur kontaktin me të moshuarit”, derisa të zhvillohet vaksina kundër sëmundjes që e shkakton koronavirusi, Covid-19, tha von der Leyen për gazetën gjermane Bild.

Shumica e ekspertëve thonë se vaksina që siguron imunitet ndaj koronavirusit nuk do të jetë e gatshme për prodhim në masë për së paku edhe një vit.

“Kur është në pyetje jeta ose vdekja, duhet të jemi të disiplinuar dhe të durueshëm”, tha von der Leyen, duke shtuar se i di vështirësitë e izolimit.

“Fëmijët dhe të rinjtë do ta gëzojnë lirinë e lëvizjes më herët se të moshuarit dhe ata me sëmundje ekzistuese”, tha von der Leyen.

Nga vendet e Bashkimit Evropian, Italia dhe Spanja kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave me koronavirus.

Ursula von der Leyen
Ursula von der Leyen

22:11 12.4.2020

Prizreni futet në karantinë, edhe 14 raste të reja me koronavirus

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, njoftoi të dielën mbrëma se në komunën që ai drejton janë konfirmuar edhe 14 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shakton koronavirusi.

Haskuka citoi një raport të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë.

“Të gjitha këto raste kanë rrjedhur nga kontaktet e rasteve të mëparshme në komunën tonë. Tani, numri total i rasteve aktive me COVID-19 në Prizren është 19”, tha Haskuka përmes një postimi në Facebook.

“Menjëherë pas pranimit të raportit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, u dakorduam me ministrin [v.j. në detyrë] të Shëndetësisë, Arben Vitia, që Prizrenin ta shpallim zonë karantine”, tha Haskuka.

Karantina nënkupton gjendjen më serioze të izolimit, të shpallur nga autoritetet.

Më herët, Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se në këtë institucion janë konfirmuar edhe pesë pacientë me COVID-19.

Shifrat e reja e rrisin në 302 numrin total të të infektuarve në Kosovë.

21:57 12.4.2020

Ahmeti: Rreth 40 raste të kontaktit kanë dalë negative

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bëri të ditur se rreth 40 persona, që kanë qenë në kontakt me 20 të infektuar me koronavirus në Prishtinë, kanë dalë negativë në testet për koronavirus.

“Pas intervistimit të 20 të infektuarve në Prishtinë, sot janë testuar rreth 40 kontakte të tyre. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative”, tha Ahmeti në një postim në Facebook.

Një ditë më herët, autoritetet në Kosovë kanë njoftuar për 33 raste të reja me koronavirus – prej tyre 20 në Prishtinë.

Kjo ka bërë që Qeveria në detyrë e Kosovës ta fusë Prishtinën në karantinë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG