Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
09:12 13.4.2020

Spanja lejon rihapjen e disa bizneseve

Punëtorët e disa bizneseve jo të domosdosshme në Spanjë do të lejohen të shkojnë në punë të hënën, teksa ky shtet ka marrë vendim për lehtësim të pjesshëm të masave të izolimit.

Prodhimi dhe ndërtimi janë dy prej bizneseve që do të mund t’iu kthehen aktiviteteve të tyre, për aq kohë sa zbatojnë udhëzimet e ashpra.

Megjithatë, dyqanet jo të domosdoshme, restorantet dhe hapësirat për argëtim do të vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Autoritetet kanë bërë të ditur se ndërkohë do të shpërndahen 10 milionë maska për personat që udhëtojnë me transport publik pasi nisin punën.

Spanja është një prej shteteve të goditura më së keqi në botë nga shpërthimi i koronavirusit – me më shumë se 166,000 raste të konfirmuara dhe gati 17,000 vdekje deri ditën e diel.

08:46 13.4.2020

Shtohen thirrjet për ndalim të tregjeve të kafshëve të egra

Shefja e Kombeve të Bashkuara për Biodiversitet, Elizabeth Maruma Mrema ka bërë thirrje për ndalim të tregjeve të kafshëve të egra, me qëllim të parandalimit të pandemive të reja në të ardhmen.

Mrema ka thënë për BBC-në se praktika e blerjes dhe shitjes së kafshëve të egra nëpër tregje, mund të përbëjë kërcënim edhe për shëndetin e njerëzve, ashtu sikurse të disa llojeve të kafshëve.

“Ne e dimë se në 60 vjetët e fundit, shumica e sëmundjeve të kafshëve janë rezultat i aktivitetit njerëzor… krijimi i kontakteve më të afërta mes kafshëve të egra dhe njerëzve, si dhe rritja e rrezikut të përhapjes”, ka shtuar ajo.

“Për këtë arsye, ne na duhet të sigurohemi që këto tregje janë të rregulluara mirë, të pastra dhe nuk janë të lidhura me tregti ilegale të kafshëve të egra”.

Mes tjerash, Mrema ka thënë se ka njohuri që shumë komunitete rurale në botë varen nga kjo lloj tregtie.

Aktualisht Kina ka marrë vendim për ndalim të konsumimit të kafshëve të egra, pas raportimeve se pandemia me koronavirusin e ri ka origjinën nga një treg i kafshëve në Vuhan ku rriten dhe shiten kafshët e egra, ndonëse ende nuk ka të dhëna të sakta se tregu në fjalë ka qenë burim i shpërthimit.

Si pasojë e koronavirusit të ri, deri më tani janë infektuar mbi 1,8 milionë persona, duke përfshirë mbi 100,000 të vdekur.

Një lloj i maceve (civet) duke u shitur për mish në një dyqan në Guangzhou në jug të Kinës.
Një lloj i maceve (civet) duke u shitur për mish në një dyqan në Guangzhou në jug të Kinës.

08:21 13.4.2020

SHBA-ja “do të mund të shpëtonte jetë” me veprim më të hershëm

Shtetet e Bashkuara “do të mund të shpëtonin jetë” nëse do të prezantonin më herët masat e izolimit për shkak të koronavirusit të ri, ka thënë zyrtari i lartë shëndetësor amerikan, Anthony Fauci.

Ai ka thënë se nëse “nga fillimi do të mbyllnim gjithçka, gjërat do të ishin pak më ndryshe”.

Megjithatë, mjeku Fauci – i cili është pjesë e udhëheqësisë për përgjigjje ndaj virusit – ka thënë se “ka ndodhur çfarë ka ndodhur dhe ne jemi ku jemi”.

Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë regjistruar më shumë se 550,000 raste të infektimit dhe mbi 22,000 të vdekur, për shkak të koronavirusit, shumica prej tyre në Nju Jork.

07:54 13.4.2020

Kina raporton rritje të numrit të të infektuarve

Kina ka raportuar numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus në pothuajse gjashtë javë.

Nga 108 raste të reja të dielën, 98 prej tyre janë importuar – duke rritur shqetësimet se udhëtarët e infektuar mund të nxisin valën e dytë të shpërthimit të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Qyteti kinez, Vuhan – epiqendra e virusit – është rihapur vetëm javën e kaluar, pas 11 javëve në izolim.

Ky shtet ka raportuar edhe për dy vdekje të dielën, duke e rritur numrin e viktimave në 3,341.

Në Kinë janë regjistruar edhe 61 raste të reja, mirëpo meqë kanë qenë pa simptoma, Kina nuk i konsideron raste të konfirmuara.

Sipas të dhënave të Universitetit, Johns Hopkins, koronavirusi i ri ka infektuar mbi 1.8 milion banorë në gjithë botën.

Për sëmundjen fillimisht është raportuar në Kinë, në fund të vitit të kaluar, ndonëse shumë shtete kritikojnë autoritetet kineze se kanë alarmuar botën shumë vonë për situatën me të cilin po përballet tani.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG