Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:11 13.4.2020

Miratohet marrëveshja për zvogëlim të prodhimit të naftës

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), Rusia dhe shtetet tjera prodhuese kanë finalizuar një marrëveshje për ulje të pashembullt të prodhimit të naftës, me shpresën e rritjes së çmimeve globale, që kanë rënë për shkak të pandemisë me koronavirus dhe luftës me çmime.

OPEC Plus, një grup prej 23 vendeve anëtare prodhuese, që përfshin edhe Rusinë, kanë thënë se janë pajtuar për të zvogëluar sasinë e naftës së prodhuar për 9.7 fuçi në ditë gjatë muajve maj dhe qershor.

Kjo marrëveshje po ashtu u kërkon anëtarëve të këtij grupi që të ulin prodhimin e naftës nga niveli aktual, në 6 milionë fuçi në ditë deri në prill të vitit 2022.

“Marrëveshja e Madhe për naftë me OPEC-Plusin është arritur”, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump.

“Sapo bisedova me ata. Marrëveshje e mrekullueshme për të gjithë”.

Duke deklaruar se marrëveshja “do të ruajë qindra mijëra vende të punës të lidhura me energjinë në Shtetet e Bashkuara” Trump ka përgëzuar dhe falënderuar presidentin rus, Vladimir Putin dhe Mbretin Salman të Arabisë Saudite.

Kremlini ka njofuar të hënën se Putin ka biseduar përmes telefonit me Trumpin dhe Mbretin Salman, dhe që të tre liderët kanë treguar përkrahje për marrëveshjen.

Kremlini ka thënë se Putin ka folur edhe ndaras vetëm me Trumpin për të diskutuar tregun e naftës dhe çështje tjera.

Sipas një draft-deklarate të Grupit OPEC-Plus, të parë nga agjencia e lajmeve, Reuters, ky grup pret që prodhimi global i naftës të ulet për 20 milionë fuçi brenda ditës, apo 20 për qind e furnizimeve globale, duke nisur nga 1 maji.

Duket se si rezultat i marrëveshjes, çmimet e naftës janë rritur për 3 për qind në tregjet aziatike ditën e hënë.

Mirëpo analistë të tregjeve presin që marrëveshja nuk do të zbatohet gjatë, duke thënë se ky pakt nuk u ka dhënë investitorëve shpresë afatgjatë, në kohën e pandemisë me koronavirus.

12:33 13.4.2020

Më shumë se gjysma e të infektuarve në Gjermani janë shëruar

Gjermania tani ka më shumë njerëz të shëruar nga koronavirusi sesa raste aktive, kanë thënë zyrtarët.

Në 24 orët e fundit, janë regjistruar 2,537 raste pozitive, duke e rritur në 127,854 numrin total të të prekurve nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Kjo është shifra e katërt më e madhe e të infektuarve në Evropë, mirëpo mbi 50 për qind e tyre janë shëruar.

Në Spanjë 37 për qind e 166,831 personave të infektuar janë shëruar, në Itali 22 për qind e 156,363 të prekurve dhe në Francë 21 për qind e 133,670 personave të sëmurë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, 85,208 persona kanë rezultuar pozitivë, mirëpo vetëm 0.3 për qind janë shëruar.

Gjermania ka edhe shkallën më të ulët të mortalitetit, e cila i është atribuuar numrit të madh të testimeve, pasi në mesin e të infektuarve ka pacientë me simptoma të lehta.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe zyrtarë të lartë shtetërorë do të takohen të hënën për të diskutuar mundësitë e lirimit të masave të izolimit.

12:07 13.4.2020

Performanca e Bocellit shikohet miliona herë

Tenori italian, Andrea Bocelli ka mbajtur një koncert për Festën e Pashkëve në Katedralen e zbrazët të Milanos të dielën, derisa miliona persona e kanë ndjekur atë në kohë reale përmes platformave online, ndërkohë që kanë qëndruar të izoluar në shtëpi për shkak të koronavirusit.

Performanca e tij në katedralen Duomo, që është transmetuar drejtpërdrejt në kanalin e tij në YouTube, është shikuar më shumë se 23 milionë herë deri më tani.

“Falë muzikës, ne do të bashkojmë miliona duar në gjithë botën, do të përqafojmë këtë puls të plagosur të Tokës”, ka thënë Bocelli, një nga tenorët më të famshëm në botë.

Italia është vendi i prekur më së keqi nga koronavirusi në Evropë, me gati 20,000 të vdekur deri më tani, duke përfshirë mbi 9,000 vdekje në rajonin e Lombardisë, që ka për kryeqendër Milanon.

11:31 13.4.2020

Ish-ministri Ismaili kritikon strategjinë e testimeve për koronavirus

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka kritikuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për menaxhimin e situatës pas rritjes së numrit të të infektuarave me koronvirusin e ri.

Ismaili që është nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se do të duhej që të aplikohej një strategji e testimeve agresive për të ndalur sa më shpejt zinxhirin e infektimeve.

“Kosova ka numrin më të ulët të testimeve për kokë banori në rajon dhe është shumë larg modeleve të suksesshme të luftës kundër Covid-19. Ku mbeten 7000 testet që erdhën në Kosovë? Ku mbeten testet nga Turqia? Dhe, më e rëndësishmja, kur do të mbërrijmë në 1000 teste në ditë?”, ka shkruar Ismaili në Faccebook.

Ai ka thënë se testimet janë politikë ekskluzive e qeverisë në detyrë dhe se kjo është përgjegjësi direkte e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kohë më parë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë, ka njoftuar se ka bërë kërkesë për furnizim me 10,000 teste të tjera, pasi Kosova nuk mund t’i prodhojë vetë ato, rrjedhimisht varet krejtësisht nga importi.

Aktualisht në gjithë territorin e Kosovës me këtë sëmundje janë infektuar 362 persona, 59 janë shëruar derisa shtatë kanë vdekur.

Me qëllim të luftimit të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG