Papa bën thirrje për mbështetje ndaj grave që janë viktimë e dhunës në familje
Papa Françesku tha të hënën se shoqëria duhet të mbështesë gratë, që janë viktima të dhunës në familje.
Disa vende në botë kanë raportuar rritjen e rasteve të dhunës ndaj grave, gjatë izolimit për shkak të koronavirusit të ri.
Papa lavdëroi gratë që qëndrojnë në vijën e parë të frontit gjatë kësaj krize, siç janë, infermieret, mjeket, oficeret e policisë, punëtoret e burgjeve, shitëset e dyqaneve e të tjera.
Papa, gjithashtu vlerësoi shumë gra, që qëndrojnë në shtëpi për të ndihmuar fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
"Le të lutemi për ato që Zoti t'u japë atyre forcë dhe që komunitetet tona t'i mbështesin ato së bashku me familjet e tyre", tha ai.
Papa Françesku tha se ishte duke u lutur për të gjitha vendet e prekura nga pandemia, por veçanërisht për ato me më shumë viktima, duke përmendur Shtetet e Bashkuara, Italinë, Spanjën dhe Francën.
UNICEF-i ndihmon Kosovën me pajisje profesionale në kohën e pandemisë
UNICEF-i ka sjellë në Kosovë 1.5 ton pajisje mbrojtëse profesionale në kohën e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri.
Pajisjet kanë arritur të hënën në Prishtinë dhe përfshijnë 8,900 mantela kirurgjikë, të cilët janë të destinuar për të mbështetur reagimin e sistemit shëndetësor ndaj pandemisë së koronavirusit.
Që nga fillimi i përhapjes së kësaj sëmundjeje, UNICEF-i mes tjerash, ka ndihmuar sistemin shëndetësor në Kosovë me pajisje profesionale si doreza, maska kirurgjike, maska me mbushje të dendur, mantela dhe të ngjashme.
Një sasi e caktuar e këtyre pajisjeve u është dorëzuar spitaleve në Mitrovicën e Veriut dhe Graçanicë.
Aktualisht në gjithë territorin e Kosovës me këtë sëmundje janë infektuar 362 persona, 59 janë shëruar derisa shtatë kanë vdekur.
Me qëllim të luftimit të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Katër viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut
Janë regjistruar edhe katër viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dy viktima janë regjistruar në Shkup një në Veles dhe një në Prilep.
Të dhënat e reja e rrisin numrin e viktimave në 38.
Gjatë 24 orëve të fundit Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 26 raste të reja të të infektuarve me koronavirus me çka numri i përgjithshëm ka arritur 854. Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, 316 dhe Kumanovë 211.
Sipas një bilanci të institucioneve shëndetësore numri i personelit mjekësor të infektuar me COVID-19 është në rritje. Në Kumanovë janë të regjistruar 47 punonjës shëndetësorë të infektuar, në Shkup 36, Dibër 8 dhe Prilep 4.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për lëshimin nga karantina shtetërore të 78 personave të cilët duhet t’i nënshtrohen vetizolimit 14-ditor.
Kjo Ministri për herë të parë që nga aplikimi i kufizimit të lëvizjes gjatë fundjavës, nuk ka regjistruar asnjë shkelje nga qytetarët edhe pse ora policore ishte më gjatë, që nga e premtja në orën 16:00 e deri të hënën në orën 05:00.
Kryetari i Prishtinës kërkon ndryshime për lëvizjen e punëtorëve
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar nga niveli qendror që të lejojë lëvizjet e punëtorëve për furnizim vital.
Ndërprerja e plotë e hyrje-daljeve për këtë kategori sipas Ahmetit shkakton pasoja të rënda ekonomike.
“Kërkesë për nivelin qendror është që të lejohen lëvizjet e punëtorëve për furnizimin vital që janë të komunave tjera e punojnë në Prishtinë si dhe zë lejohen punëtorët e Prishtinës që janë në kanalet e furnizimit për komunat tjera. Prishtina është kryeqytet dhe kapilari kryesor ekonomik i Kosovës dhe ndërprerja e plotë shkakton pasoja të rënda ekonomike”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Prishtina është futur të dielën në karantinë pasi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka regjistruar 20 raste të reja ditën e shtunë.
Pas marrjes së këtij vendimi, Policia e Kosovës, në çdo hyrje-dalje të qytetit është duke u kujdesur për zbatimin e masave të vendosura nga autoritetet.
Aktualisht në gjithë territorin e Kosovës me sëmundjen Covid-19 janë infektuar 362 persona, 59 janë shëruar derisa shtatë kanë vdekur.