Trump i bën jehonë thirrjes për shkarkimin e ekspertit Fauci
Presidenti amerikan, Donald Trump, shpërndau në rrjetin social Twitter një thirrje për shkarkimin e Anthony Faucit, anëtar kyç i task-forcës për koronavirus në Shtëpinë e Bardhë.
Mesazhi fillestar ishte postuar nga një ish-kandidat republikan për Kongres, i cili shkruante se është koha për të shkarkuar Faucin, derisa citonte pjesë të një interviste të ekspertit amerikan.
Eksperti më i lartë i vendit për sëmundjet infektive, ka thënë se Shtetet e Bashkuara “do të mund të shpëtonin jetë” nëse do të prezantonin më herët masat e izolimit për shkak të koronavirusit të ri.
Ai ka thënë në këtë intervistë se nëse “nga fillimi do të mbyllnim gjithçka, gjërat do të ishin pak më ndryshe”.
Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë regjistruar më shumë se 550,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe mbi 22,000 të vdekur, shumica prej tyre në Nju Jork.
Fauci ka marrë rëndësi kombëtare si udhëheqës në luftën kundër koronavirusit. Ai e ka kundërshtuar ose korrigjuar Trumpin për çështje shkencore gjatë krizës, duke përfshirë edhe atë, nëse ilaçi anti-malaria hidroksikloroku është i efektshëm kundër koronavirusit të ri.
Javën e kaluar gjatë konferencës së përditshme në Shtëpinë e Bardhë, Trump e pengoi Faucin të përgjigjet në një pyetje në lidhje me hidroksiklorurinën.
Fauci, 79 vjeç, ka udhëhequr agjencinë federale të sëmundjeve infektive që nga viti 1984 nën presidentët republikanë dhe demokratë.
Ish presidenti republikan, George W. Bush e nderoi atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë më 2008.
Në Serbi pesë të vdekur nga koronavirusi gjatë 24 orëve
Së Serbi gjatë 24 orëve të fundit, kanë vdekur pesë persona nga koronavirusi i ri, njoftuan autoritetet.
Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 85.
Nga 2646 njerëz të testuar, 424 kanë dalë pozitiv në koronavirus.
Në këtë vend, deri më tani janë 4054 raste të konfirmuara të të infektuarve me koronavirus.
Rritet numri i vdekjeve nga koronavirusi në Belgjikë
Të hënën në Belgjikë është konfirmuar vdekja e 303 personave nga koronavirusi i ri, raporton BBC.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve në këtë vend ka arritur në 3,903 persona.
Megjithëse numri mund të duket i ulët, në krahasim me vendet e tjera evropiane, popullsia e Belgjikës është vetëm rreth 11.5 milionë.
Gjermania ka një popullsi prej rreth 83 milionë, dhe ka regjistruar rreth 3,000 vdekje - domethënë proporcionalisht, numri i vdekjeve për kokë banori i Belgjikës është më afër Spanjës dhe Italisë.
Belgjika ka konfirmuar më shumë se 30,000 raste të të infektuarve, që prej fillimit të shpërthimit të panidemisë.
Vendosja e maskave “do të kthehet në normë”
Vendosja e maskave do të kthehet shumë shpejt në gjë normale, sipas zëdhnësit për koronavirus në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, David Nabarro.
Duke folur për BBC-në, Nabarro ka thënë se njerëzit duhet të pajtohen me realitetin e ri të të jetuarit me virusin.
“Virusi nuk do të zhduket. Ne nuk e dimë nëse njerëzit që kanë pasur virusin janë imunë dhe nuk e dimë se kur do të kemi vaksinë”, ka thënë ai.
“Disa forma të mbrojtjes së fytyrës jam i sigurt se do të kthehen në normë. Mendoj kështu për shkak të asaj që e konsideroj të qenit gati për COVID-19”, është shprehur mes tjerash ai.
Deri më tani, 1.8 milionë persona janë prekur nga koronavirusi i ri në gjithë botën, ndërkohë që mbi 100,000 kanë vdekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus.