Mbi 20 mijë të vdekur në Itali
Të hënën, numri i vdekjeve nga koronavirusi në Itali arriti në mbi 20,000. Gjatë 24 orëve të fundit u raportuan 566 vdekje të reja.
Por numri i pacientëve me gjendje kritike ka rënë sërish për të dhjetën ditë më rradhë.
Megjithatë, një ekspert i lartë i sëmundjeve infektive në Itali tha se është vështirë të jepen të dhëna të sakta, sepse rastet e reja që shfaqen tani, mund të jenë infektuar deri në tre javë më parë.
"Koha që kalon midis momentit të infektimit dhe momentit kur paraqiten simptomat mund të jetë 20 ditë", u tha gazetarëve, Giovanni Rezza nga Instituti i Shëndetit Publik.
"Pra, kur lexoni se ka 300 raste të reja, këto raste ishin infektuar 20 ditë më parë", tha ai.
Italia javën e kaluar zgjati izolomin mbarëkombëtar deri më 3 maj.
Martesa në Istog në kohë virusi
Një çift nga Istogu është martuar të dielën, në kohën kur shumë dasma dhe organizime të tjera janë anuluar, për shkak të përhapjes së koronavirusit. Nusja dhe dhëndri tregojnë se si është martesa pa dasmorë.
Shkon në mbi 10 mijë numri i viktimave në Nju Jork
Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, njoftoi se të hënën janë konfirmuar 671 vdekje të reja nga koronavirusi, duke e rritur numrin e viktimave në 10.056.
Ai shprehu besimin se"më e keqja ka mbaruar" pasi spitalet duket se po arrinin tavanin e shkallës së të infektuarve dhe vdekjeve të reja.
"Kurba është në thelb e sheshtë por ka arritur në nivel pikëllues", tha Cuomo.
Nju Jorku ka më shumë raste të të infektuarve me koronavirus, sesa secili shtet tjetër në Shtetet e Bashkuara, tregojnë të dhënat e fundit.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në SHBA ka arritur në 558,999, ndërsa 22,154 persona kanë vdekur.
Daljet e pakontrolluara rritën numrin e të infektuarve
Dalja a pakontrolluar e qytetarëve, mosrespketimi i masave të vendosura nga autoritetet shëndetësore në Kosovë, ka rezultuar me rritje të numrit të infektuarve me sëmundjen COVID-19, vlerësojnë zyrtarë shëndetësorë në Kosovë.
Me 79 raste të reja, Kosova ka regjistruar të dielën rekord të rasteve me koronavirusin e ri që prej se rastet e para u shfaqën në vend.
Më këto shifra, numri total i të infektuarve në Kosovë shkon në 362.
Lidhur më rritjen e numrit të rasteve, zyrtarë të Ministrisë se Shëndetësisë, thanë se “secila pandemi e ka fillimin e saj, zhvillimin dhe rënien. Kosova është në fazën e zhvillimit të saj dhe është e pritshme që në këtë fazë të ketë numër më të madh të rasteve pozitive”.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.