Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:20 13.4.2020

UNICEF-i kërkon lirimin e të miturve nga qendrat e paraburgimit

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), u bëri thirrje autoriteteve gjyqësore në Kosovë, që ta rishqyrtojnë zëvendësimin e masave të paraburgimit dhe masat edukative për të miturit, me masa si: arrest shtëpiak apo mbikëqyrje intenzive nga prindërit.

“Shumica e këtyre fëmijëve janë duke u mbajtur në hapësira të izoluara apo të mbipopulluara me qasje të pamjaftueshme në ushqim, shërbime të kujdesit shëndetësor dhe higjienës – kushte që janë tejet të favorshme për përhapjen e sëmundjeve si COVID-19. Një përhapje e infektimit në ndonjërën prej këtyre objekteve mund të ndodhë në çdo moment", thuhet në komunikatën e organizatës.

Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin ka bërë të ditur se të drejtat e fëmijëve për mbrojtje, siguri dhe mirëqenie duhet të mbështeten në çdo kohë, e sidomos gjatë krizave sikur ajo me të cilën bota po përballet sot.

“U bëjmë thirrje institucioneve dhe autoriteteve të tjera ndaluese që urgjentisht t’i lirojnë të gjithë fëmijët që mund të kthehen në mënyrë të sigurt tek familjet e tyre apo në alternative të tjera. Alternativat tjera përfshijnë kujdesin nga familja e gjerë, nga familjarë të tjerë apo me bazë në komunitet”, citohet të ketë thënë Sahin.

UNICEF-i thotë se si organizatë mbetet e gatshme për t’iu ndihmuar autoriteteve në përgatitjen për lirimin e fëmijëve, duke përfshirë identifikimin e kushteve të sigurta.

20:11 13.4.2020

OBSH: Vetëm vaksina mund ta ndalë përhapjen e koronavirusit

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se vetëm një vaksinë efektive kundër koronavisurit, mund ta ndërpresë plotësisht përhapjen e sëmundjes në gjithë botën.

Shumica e ekspertëve thonë se një vaksinë, që u jep njerëzve imunitetin ndaj koronavirusit, nuk do të zhvillohet dhe prodhohet në masë për të paktën një vit.

Shefi i OKB-së, tha se "lidhjet globale", nënkuptojnë se rreziku i ringjalljes së virusit do të mbetet prezent.

"Në fund të fundit, zhvillimi dhe shpërndarja e një vaksine të sigurt dhe efektive do të jetë e nevojshme për të ndërprerë plotësisht transmetimin", tha ai.

Në konferencën për media, Ghebreyesus sërish iu bëri thirrje vendeve të mos nguten me heqjen e kufizimeve të distancës fizike, derisa të vendosen masat e duhura të shëndetit publik.

OBSH-ja vlerëson se sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri është 10 herë më vdekjeprurëse sesa pandemia e gripit të derrit të vitit 2009.

Pandemia e virusit H1N1 në vitin 2009, vlerësohet të ketë vrarë rreth 200,000 njerëz në të gjithë botën.

19:57 13.4.2020

Ministria e Arsimit do të lansojë platformën online Edukimi në Distancë

Ministrja e Arsimit në detyrë e Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se shumë shpejt do të lansohet platforma "Edukimi në Distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0-6 vjeç".

"Kjo platformë inovative ka për qëllim t’i mbështesë prindërit, kujdestarët ligjor dhe edukatorët në realizimin e aktiviteteve ditore dhe javore me fëmijët në kushte shtëpie, duke ndihmuar kështu, që në kontekstin e pandemisë COVID – 19, këto grupmosha të kenë kujdesin e duhur sa i përket zhvillimit emocional dhe edukimit", ka shkruar Bajrami në rrjetin social Facebook.


Projekti është realizuar në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe organizatën “Save the Children”.

19:48 13.4.2020

Koreja e Jugut thotë se te 116 pacientë u përsërit sëmundja COVID-19

Koreja e Jugut ka raportuar se të paktën 116 persona që ishin shëruar nga koronavirusi i ri kanë dalë sërish pozitiv.

Zyrtarët po shikojnë shkakun e përsëritjes së sëmundjes, raporton BBC.

Jeong Eun-kyeong, drejtori i Qendrave Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (KCDC), thotë se virusi mbase mund të jetë riaktivizuar në vend se të ketë ndodhur sërish infektimi i këtyre pacientëve.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se testet laboratorike po tregojnë rezultate të gabuara.

Më 11 prill Koreja e Jugut kishte raportur për 91 raste të tilla.

E pyetur lidhur me këto raste, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha të shtunën se po shqyrton raportet e disa pacientëve me COVID-19, të cilët në testin e dytë dolën pozitivë edhe pse më parë kishin dalë si negativë.

"Këto raste ne po i shqyrtojmë për së afërmi me ekspertët tanë klinikë dhe po punojmë shumë për të marrë më shumë informacione për ato raste individuale. Është e rëndësishme që kur grumbullohen mostrat e testimit nga pacientët e dyshuar, të ndiqen procedurat ashtu siç duhet", thotë OBSH-ja.

Sipas udhëzimeve të OBSH-së për menaxhimin klinik, një pacient mund të lirohet nga spitali pas dy rezultateve të njëpasnjëshme negative me distancë kohore të testimit të paktën 24 orë.

Sipas OBSH-së te rastet me simptoma të buta, ekziston një periudhë prej rreth dy javësh midis fillimit të simptomave dhe shërimit klinik të pacientëve.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG