Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:51 14.4.2020

FMN ua lehtëson borxhet disa vendeve, për të luftuar pandeminë

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha se do t’ua lehtësojë borxhet 25 vendeve më të varfra anëtare, në mënyrë që t’i përqendrojnë burimet financiare në luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Drejtorja e FMN-së, Kristalina Georgieva, tha se bordi ekzekutiv i Fondit e ka miratuar grupin e parë të vendeve që do të marrin grante, për të mbuluar borxhet e tyre.

Në mesin e tyre bëjnë pjesë: Afganistani, Jemeni dhe Taxhikistani.

Georgieva tha se FMN-ja ka rreth 500 milionë dollarë në dispozicion, përfshirë edhe premtimet e Britanisë për 185 milionë dollarë, të Japonisë për 100 milionë dhe të disa vendeve të tjera.

FMN-ja po përpiqet të sigurojë një shumë prej 1.4 miliard dollarësh.

“Me këto para do t’iu siguroheshin grante anëtarëve tanë më të varfër dhe më të cenueshëm, për t’i mbuluar borxhet e tyre ndaj FMN-së, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm”, tha Georgieva.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, mbi 1.9 milion njerëz në botë janë prekur nga koronavirusi dhe mbi 119,000 kanë vdekur.

08:31 14.4.2020

Austria lehtëson izolimin, disa biznese rihapen

Austria nisi sot lehtësimin e masave të izolimit, të cilat ishin ndërmarrë për mbrojtje nga koronavirusi.

Mijëra dyqane nën 400 metra katrorë u rihapën, ashtu si edhe dyqanet e pajisjeve të rënda dhe qendrat e kopshtit.

Megjithatë, distancimi fizik mbetet në fuqi, ndërsa njerëzit udhëzohen të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që ta kenë të mundur.

Austria ka qenë në mesin e vendeve të para evropiane që ka ndërmarrë masa të izolimit rreth një muaj më parë.

Autoritetet atje kanë raportuar deri më tash për 14,000 të infektuar me koronavirus dhe 368 të vdekur.

Qeveria austriake ka thënë javën e kaluar se ka arriturr ta rrafshojë kurbën e infektimeve të reja.

Lehtësimin e izolimit e ka nisur edhe Spanja, duke i lejuar disa qytetarë të kthehen në punë, ndërsa Danimarka i ka rihapur shkollat për fëmijët e vegjël.

Italia - vendi më i goditur i Evropës, me më shumë se 20,000 viktima nga koronavirusi - do t’i lejojë disa firma të rifillojnë operimet nga sot.

Megjithatë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka zgjatur zgjatur izolimin atje deri më 11 maj.

Në një adresim televiziv të hënën, Macron ka thënë se kufizimet aktuale e kanë ngadalësuar virusin, por nuk e kanë mundur atë.

Macron duke iu drejtuar kombit.
Macron duke iu drejtuar kombit.

08:05 14.4.2020

SHBA-ja synon rihapjen graduale të ekonomisë

Në Shtetet e Bashkuara, ku kurba e të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi, duket se është duke u rrafshuar, autoritetet paralajmëruan se mund të nisin lehtësimin e masave të izolimit.

Presidenti Donald Trump tha se të martën do të bëjë publike një task-forcë që do të punojë për rihapjen e ekonomisë amerikane.

Duke folur në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se do të njoftojë brenda ditësh se kur dëshiron të rihapë vendin, ndërsa shtoi se kufizimet e udhëtimit me Evropën do të hiqen “në kohën e duhur”.

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Mbi 17 milionë njerëz kanë humbur vendet e punës në SHBA gjatë tri javëve të kaluara, për shkak të mbylljes së biznesve, kufizimeve në udhëtim dhe masave të tjera që janë ndërmarrë për luftimin e koronavirusit.

Deri mbrëmjën e së hënës, numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA ka qenë mbi 23,200, ndërsa i të infektuarve mbi 682,000.

Gjashtë qeveri shtetesh në SHBA-në verilindore gjithashtu paralajmëruan se do të formojnë panele rajonale për heqjen graduale të masave të izolimit.

Andrew Cuomo, guvernator i Nju Jorkut – shtetit më të prekur nga koronavirusi – tha se rihapja e bizneseve do të kërkojë një “ekuilibër delikat”.

"Askush nuk ka qenë këtu më parë, askush nuk i ka të gjitha përgjigjet", tha Cuomo, duke shtuar se "adresimi i shëndetit publik dhe i ekonomisë" janë dy shqetësimet kryesore.

Autoritetet shëndetësore paralajmëruan se heqja e shpejtë e kufizimeve mund të nxisë një valë të re të infektimeve me koronavirus, ndërsa rekomanduan rritjen e numrit të testimeve për të përcaktuar se kush mund të jetë bartës i virusit.

Ato po ashtu kërkojnë nga publiku që të vazhdojë praktikën e distancimit fizik, pastrimit të rregullt të duarve dhe mbajtjes së maskave mbrojtëse.

22:07 13.4.2020

Konfirmohen edhe 15 raste me koronavirus në Kosovë

Instituti i Shendetësisë Publike, bëri të ditur se janë konfirmuar edhe 15 raste me koronavirus në Kosovë.

"Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë (9) raste nga komuna e Suharekës (sipas vendbanimeve në Semetishtë shtatë (7) raste dhe Vraniq dy (2) raste), tre (3) raste nga Lladovë-Gjilan dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Nerodime e epërme-Ferizaj, Banjë-Malishevë dhe Leshak-Leposaviq", thuhet në komunikatën në Institutit.

Po ashtu të hënën janë shëruar edhe katër pacientë që kanë qenë të infektuar me koronavirusin e ri.

Në bazë të të dhënave të fundit, në Kosovë janë gjithsej 377 raste të të infektuarve me koronavirus, 8 raste të vdekjes si dhe 63 të shëruar.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG