Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:26 14.4.2020

India zgjat izolimin për shkak të koronavirusit deri më 3 maj

Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka zgjatur izolimin e këtij vendi deri më 3 maj.

Izolimi fillestar ka nisur më 25 mars dhe është dashur të skadojë më 15 prill.

“Distancimi social dhe izolimi kanë ndihmuar vërtet. Vendimi për vazhdim të izolimit duket shumë i kushtueshëm ekonomikisht. Por, nuk mund të ketë kosto për jetën e qytetarëve të Indisë”, tha Modi në një fjalim drejtuar kombit.

India, deri më tash, ka raportuar për afro 9,000 raste aktive të koronavirusit dhe 339 viktima.

Nju Delhi, Indi
Nju Delhi, Indi

Nën masat e izolimit mund të punojnë vetëm bizneset thelbësore, të tilla si dyqanet ushqimore dhe barnatoret.

Shërbimet e transportit në qytet janë të kufizuara vetëm për stafin emergjent dhe për ata që kanë leje të posaçme udhëtimi.

Trenat dhe fluturimet janë të pezulluara po ashtu.

Modi tha se rregullat mund të forcohen më tej gjatë javës së ardhshme, por ai nuk dha më shumë detaje.

Ai tha se qeveria do të nxjerrë "udhëzime" së shpejti.

09:59 14.4.2020

Në Klinikën Infektive, të shtrirë 54 pacientë me koronavirus; tre në gjendje kritike

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi se aktualisht në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 54 pacientë të sëmurë me koronavirus - prej të cilëve 10 janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.

Në gjendje kritike, ndërkaq, janë tre pacientë: njëri është në oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, ndërsa dy janë në ventilim mekanik, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu tha se nuk ka asnjë rast të ri të infektimit të stafit të Klinikës Infektive.

Kosova ka aktualisht 377 persona të infektuar me koronavirus; 8 pacientë kanë vdekur, ndërsa 63 janë shëruar.

Të dielën, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar 79 raste të reja, çfarë ka qenë numri më i madh i rasteve brenda një dite.

Një ditë më vonë, Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë masa të reja për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, të cilat do të hyjnë në fuqi nga e mërkura.

09:47 14.4.2020

QKRMT kërkon ndryshime ligjore në kohën e pandemisë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) kërkon nga institucionet e Kosovës që të bëhen ndryshime ligjore, me qëllim të lirimit të përkohshëm apo amnistisë së të burgosurve në kohën e pandemisë së koronavirusit.

QKRMT-ja thotë se shumë vende në rajon dhe vende evropiane kanë shfrytëzuar mundësitë ligjore ekzistuese duke e adresuar këtë nevojë, ashtu që një numër i madh i të dënuarve kanë përfituar nga lirimi prej dënimit, pezullimi i dënimit, falja apo amnistia.

Kërkesa i është drejtuar Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe shefave të grupeve parlamentare, në mënyrë që ata t’i iniciojnë ndryshimet ligjore.

Kjo kërkesë i është dërguar edhe Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, e cila tani është në detyrë.

Ditë më parë është raportuar për dy gardianë të infektuar me koronavirus në burgun e Mitrovicës.

Në total, Kosova ka konfirmuar 377 raste të të infektuarve me koronavirus; 8 pacientë kanë vdekur, ndërsa 63 janë shëruar.

09:19 14.4.2020

Amazon hap edhe 75,000 vende pune

Pas punësimit të 100,000 punëtorëve muajin e kaluar, gjiganti i shitjeve online Amazon është në kërkim edhe të 75,000 punëtorëve të tjerë.

Amazon tha se i duhet më shumë personel për të përballuar rritjen e kërkesave.

Shumë vende në botë janë izoluar për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe qytetarët e tyre i kanë shtuar blerjet online.

"Ne mirëpresim cilindo që është pa punë për t'u bashkuar me ne në Amazon, derisa gjërat të kthehen në normalitet", tha kompania me seli në Shtetet e Bashkuara.

Mbi 17 milionë amerikanë kanë humbur vendet e punës në SHBA gjatë tri javëve të kaluara, për shkak të izolimit nga koronavirusi.

Muajin e kaluar, Amazon ka punësuar personel shtesë në SHBA, prej rreth 100,000 vetash, për të përmbushur porositë online për ushqim dhe barna të klientëve ekzistues.

Por, kompania tha se ka edhe një listë pritjeje me klientë të rinj.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG