Policia e Kosovës ndalon 55 persona që nuk i respektuan masat kundër koronavirusit
Policia e Kosovës ka ndaluar 55 persona, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se në 37 raste janë hasur 55 persona që dyshohen për veprën: "Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë".
Me masat e deritashme të Qeverisë në detyrë të Kosovës, lëvizja e qytetarëve ka qenë e ndaluar nga ora 17:00 deri në orën 06:00.
Ministria në detyrë e Shëndetësisë ka njoftuar të hënën se nga data 15 prill do të hyjnë në fuqi masa të reja, në bazë të të cilave qytetarët e Kosovës do të lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm një orë e gjysmë në ditë dhe atë vetëm për nevoja thelbësore.
Kosova aktualisht ka konfirmuar 377 raste të të infektuarve me koronavirus; 8 pacientë kanë vdekur, ndërsa 63 janë shëruar.
Numri i pasagjerëve në Heathrow pritet të bie për 90%
Numri i pasagjerëve në Aeroportin Heathrow të Londrës do të bie për 90 për qind në muajin prill, për shkak të kufizimeve në udhëtime, të ndërmarra për frenimin e koronavirusit, thanë zyrtarë të aeroportit.
Sipas tyre, në muajin mars, numri i pasagjerëve ka rënë për 52 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Heathrow, në situata të zakonshme, është një nga aeroportet më të ngarkuara në botë.
Zyrtarët thanë se aeroporti është duke shfrytëzuar tani vetëm njërën nga dy pistat e tij, pasi fluturimet për mallra vazhdojnë.
Diaspora me ndihmë apo borxh për Kosovën?
Ekzistojnë sinjale se tashmë mërgimtarët me prejardhje nga Kosova, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, kanë nisur t’i përgjigjen thirrjes së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndihmojnë Kosovën financiarisht në kohën kur po përballet me pandeminë e koronavirusit, vlerësojnë njohës të zhvillimeve në diasporë dhe të fushës së ekonomisë.
Megjithatë, kërkesa e kryeministrit në detyrë, sipas tyre, përveç si thirrje për bashkatdhetarët, është edhe mesazh për akterët vendorë dhe ndërkombëtarë që të hyrat në buxhetin e shtetit kanë filluar të shteren...
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Mustafa: Masat e Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë veprim ligjor
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një reagimi në Facebook, u deklarua kundër masave të reja, të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë.
Me këto masa, qytetarët e Kosovës, nga data 15 prill, do të lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm një orë e gjysëm në ditë dhe atë vetëm për nevoja thelbësore.
Mustafa tha se vendosja e masave të tilla kufizuese në lëvizjen e qytetarëve nuk është veprim ligjor.
Këto masa, sipas tij, nuk mund të vendosen nga ministri në detyrë i Shëndetësisë.
“Sipas këtyre vendimeve, qytetarët e Kosovës nuk janë qytetarë me të drejta të garantuara kushtetuese. Qeveria në detyrë nuk është qeveri e një shteti parlamentar. Ajo nuk po e respekton Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ministritë e caktuara janë bërë vetë ligji”, shkroi Mustafa në Facebook.
E vetmja zgjidhje, sipas tij, është që të hiqet kjo qeveri dhe logjikë qeverisëse dhe të krijohet një qeveri e re, e cila, siç tha Mustafa, së bashku me Kuvendin e Kosovës do t’i nxjerrë masat e domosdoshme për ta kapërcyer pandeminë e koronavirusit.