Çfarë thotë OBSH-ja për heqjen e masave të izolimit?
Disa vende në botë kanë thënë se kanë rrafshuar kurbën e të infektuarve dhe viktimave me koronavirus dhe, rrjedhimisht, janë duke shqyrtuar lehtësimin e masave të izolimit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar gjashtë kushte për vendet që konsiderojnë relaksimin e izolimit:
- Transmetimi duhet të kontrollohet;
- Sistemet shëndetësore kanë kapacitet për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;
- Rreziqet e shpërthimit në ambiente të veçanta, si objektet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve, minimizohen;
- Masat parandaluese ndërmerren në vende të punës, shkolla dhe vende të tjera ku njerëzit domosdoshmërisht shkojnë;
- Rastet e importuara menaxhohen;
- Komunitetet janë plotësisht të informuara, të angazhuara dhe të afta për t’u përshtatur me "normën e re".
Edhe Polonia nis lehtësimin e masave anti-koronavirus
Ministri i Shëndetësisë në Poloni, Lukasz Szumowski, tha se kufizimet e ndërmarra për frenimin e përhapjes së koronavirusit në këtë vend, do të nisin të lehtësohen nga data 19 prill.
“Gradualisht do të nisim ta aktivizojmë ekonominë”, tha ai për mediat polake.
Zëdhënësi i qeverisë, Piotr Muller, tha se kufizimet në dyqane do të hiqen të parat.
Megjithatë, ai i tha Radios së Polonisë se vendimi do të merret të mërkurën ose të enjten, pasi qeveria t’i analizojë të dhënat nga fundjava e Pashkëve.
Nga e enjtja, do të jetë e detyrueshme për secilin në Poloni që të vendosë maskë ose shall në fytyrë kur del jashtë, tha Muller.
Deri të hënën mbrëma, Polonia ka pasur 6,934 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa 245 pacientë atje kanë humbur jetën.
Të martën, edhe Austria ka nisur lehtësimin e masave të izolimit, duke rihapur mijëra dyqane të vogla.
Lehtësimin e izolimit e ka nisur edhe Spanja, duke i lejuar disa qytetarë të kthehen në punë, ndërsa Danimarka i ka rihapur shkollat për fëmijët e vegjël.
Italia - vendi më i goditur i Evropës, me më shumë se 20,000 viktima nga koronavirusi - do t’i lejojë disa firma të rifillojnë operimet nga sot.
Megjithatë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka zgjatur izolimin atje deri më 11 maj.
Rritet për tetë numri i të infektuarve në Shqipëri
Në Shqipëri ka shkuar në 475 numri i të prekurve nga COVID-19 - sëmundja që e shkakton koronavirusi.
Tetë raste të reja janë konfirmuar në 24 orët e fundit.
Ndërkaq, numri i viktimave nga koronavirusi aktualisht është 24.
Eugena Tomimi, nga Instituti i Shëndetit Publik, ka thënë se pa marrë parasysh trendin e uljes së rasteve të prekura, Ministria e Shëndetësisë po vijon punën në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive.
“Prirja e pozitivitetit të mostrave të testuara tregon një qëndrueshmëri të rasteve të konfirmuara, kryesisht gjatë dy javëve të fundit”, ka thënë Tomini.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i të shëruarve nga koronavirusi në Shqipëri është 248.
UNICEF paralajmëron për mundësinë e shpërthimit të fruthit
Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) paralajmëroi për mundësinë e shpërthimit të fruthit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
UNICEF tha se disa programe të vaksinimit janë shtyrë për shkak të krizës globale shëndetësore.
Në 37 vende, 117 milionë fëmijë mund të mos imunizohen me kohë ndaj fruthit, tha UNICEF.
Fruthi, i cili shkakton kollitje, skuqje dhe ethe, mund të parandalohet me dy doza të vaksinës së njohur si MMR.
Në mesin e vendeve që kanë vendosur të shtyjnë vaksinimet për fruth, janë: Bangladeshi, Brazili, Bolivia, Kamboxhia, Etiopia, Somalia e të tjera.
“Ndërprerja e vaksinimit rutinor do të rrisë rrezikun që fëmijët të kontraktojnë sëmundje vdekjeprurëse”, tha zëdhënësja e UNICEF-it, Joanna Rea.
Fruthi është sëmundje ngjitëse dhe potencialisht fatale.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, muajin e kaluar, e ka shpallur sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi, pandemi globale.
Mbi 1.9 milion njerëz në botë janë prekur nga kjo sëmundje, ndërsa mbi 120,000 kanë humbur jetën.