Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
16:40 14.4.2020

FMN: Bota po përballet me recesionin më të keq që nga Depresioni i Madh

Ekonomia globale do të tkurret me 3% këtë vit për shkak të efekteve të pandemisë, tha Fondi Monetar Ndërkombëtar.

FMN e përshkroi rënien e ekonomisë globale, si më të keqën që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.

Sipas FMN-së pandemia e ka zhytur botën në një "krizë si asnjë tjetër".

Fondi shtoi se nëse kjo situatë do të zgjasë, atëherë do të vihet në test aftësia e qeverive dhe bankave qendrore për të kontrolluar krizën.

Gita Gopinath, kryesuesja e ekonomistëve të FMN-së tha se kriza mund t'i kushtojë ekonomisë botërore 9 trilionë gjatë dy viteve të ardhshme.

Ajo tha se rritja e ekonomisë globale mund t'i rikthehet shifrës 5.8% gjatë vitit 2021, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse pandemia përfundon gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020.

16:22 14.4.2020

Vendet e G7-ës diskutojnë për masat ndaj efekteve ekonomike të pandemisë

Drejtuesit e financave të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, ranë dakord të martën mbi nevojën për të ofruar ndihmë financiare dhe teknike për ekonomitë në zhvillim, që luftojnë me pasojat nga pandemia e koronavirusit, tha ministri japonez i Financave, Taro Aso.

Drejtuesit e financave të G7 diskutuan nevojën për një përgjigje të koordinuar mes tyre, për të trajtuar dëmet që kriza shëndetësore po i shkaktonte ekonomisë globale, u tha Aso gazetarëve.

"Nuk ka dyshim se ekonomia globale do të vijë nën presion nga pandemia e koronavirusit", tha ai.

Ministrat e finanacave të vendeve anëtare të G7-ës mbajtën një konferencë online.

Më 20 mars Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, anuloi samitin e G7-ës, për shkak të krizës me koronavirus.

Ishte paraparë që samiti të mbahej në qershor, në Kamp Dejvid, pranë Uashingtonit.

G7-ta përbëhet nga: Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

Të gjitha këto shtete po luftojnë për frenimin e pandemisë.

SHBA-ja mban udhëheqjen e G7-ës gjatë vitit 2020.

16:04 14.4.2020

Testimet për COVID-19

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka dhënë disa udhëzime se kush duhet të testohet për COVID-19.

Këshillat aktuale për testimin varen nga faza e shpërthimit në vendin ose zonën ku banoni.

Qasjet në testim përshtaten me situatën në nivel kombëtar dhe lokal.

Autoritetet kombëtare mund të vendosin të testojnë vetëm nëngrupe të njerzve nga rastet e dyshuara bazuar në pakacitetet kombëtare për testim, pastaj varësisht nga posedimi i pajisjeve të nevojshme për testim, nivelin e transmetimit brenda komunitetit ose kritereve të tjera.


ECDC ka sugjeruar që autoritetet kombëtare mund të konsiderojnë prioritetet e testimit në grupet e mëposhtme:

  • pacientët e shtruar në spital me infeksione të rënda të frymëmarrjes;
  • stafi i kujdesit shëndetësor që është simptomatik përfshirë ata me simptoma të buta;
  • rastet me infeksione akute të frymëmarrjes në spital ose institucione të kujdesit afatgjatë;
  • pacientët me infeksione akute të frymëmarrjes ose sëmundje të ngjashme me gripin;
  • personat e moshuar me sëmundje kronike si sëmundjet e mushkërive, kancer, sëmundjet e zemrës, sëmundje të mëlçisë, diabet dhe sëmundje tjera të sistemit imunitar.

15:45 14.4.2020

Kroacia me 54 raste të reja me koronavirus

Në Kroaci gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 54 raste të reja me koronavirusin e ri.

Ministri i Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh tha se numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 1,704.

Ai njoftoi se janë testuar gjithsej 18,359 persona.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian, ka arritur në 31, ndërkaq numri i personave të shëruar ka shkuar në 415.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG