Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
15:30 14.4.2020

Shkon në 44 numri i viktimave nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Edhe gjashtë persona kanë humbur jetën në Maqedoni të Veriut nga koronavirusi, duke e çuar në 44 numrin e përgjithshëm të viktimave.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik, dy viktima janë nga Shkupi dhe Kumanova, një në Prilep dhe një në Veles. Viktimat sikur edhe në rastet tjera janë të moshuar të cilët kanë vuajtur nga sëmundje të ndryshme kronike.

Sa i përket të infektuarve, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 54 raste të reja me çka numri i të përgjithshëm ka arritur në 910. Më së shumti të infektuar ka në Shkup (329), Kumanovë (236), Prilep (85), Strugë (43), ndërsa 14 qytete tjera kanë numër më të vogël të të infektuarve.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

15:25 14.4.2020

Stoltenberg: Misioni i NATO-s në Kosovë mbetet funksional përkundër pandemisë

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë për pasojat e dezinformimin, që ka marrë hov, veçanërisht pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

"Jemi dëshmitarë të veprimeve të aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërore të cilët po bëjnë përpjekje që duke e përdorur pandeminë të na përçajnë", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për media.

"Aleatët duhet të punojnë së bashku për të gjurmuar dhe zbuluar këto përpjekje", shtoi Stoltenberg, duke vlerësuar se mënyra më e mirë për t'u marrë me këtë fenomen është duke paraqitur fakte dhe të vërteta.

Sipas Stoltenberg, ministrat e NATO-s do të marrin pjesë në një video-konferencë të mërkurën , dhe një nga temat kryesore do të jetë përgjigja e përbashkët e të gjithë aleatëve ndaj propagandës.

Stoltenberg tha se po bëhet çdo gjë e mundur që kriza e koronavirusit të mos bëhet një krize e sigurisë.

Ai theksoi se operacionet e Aleancës në botë, përfshirë Kosovën dhe Afganistanin, janë akoma funksionale, megjithëse me masa parandaluese të përhapjes së koronavirusit.

"Misioni i NATO-s është të ruajë jetën e njerëzve", paralajmëroi Jens Stoltenberg, duke shtuar se kriza e shkaktuar nga koronavirusi do të ketë pasoja të gjera.

15:19 14.4.2020

AAK insiston në ndarjen e nga 100 eurove për kokë banori

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës insiston se për çdo kokë banori duhet ndarë nga 100 euro si masë emergjente në këtë kohë të pandemisë.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Gazmend Abrashi, thotë se qeveria do të duhej që të ndante nga 100 euro për çdo anëtarë të familjes.

“Ne kemi propozuar që për secilin qytetarë të Kosovës të ndahen nga 100 euro pa dallim. Me analizën që një familje e Kosovës që ka diku rreth katër anëtarë, gjegjësisht, pesë anëtarë pra të ju japim familjeve nga 400 deri në 500 euro, gjegjësit, nga 100 euro për kokë të banorit dhe atëherë e kemi të drejtën morale dhe legjitime që këto familje t’i mbyllim në shtëpitë e tyre”, tha Abrashi.

AAK-ja e përsëriti këtë kërkesë, pasi siç thanë ata, e kishin të pamundur t’i shprehnin propozimet e tyre në seancën e Kuvendit të Kosovës e cila u ndërpre pasi PDK-ja u tërhoq nga propozimi për Pakon Emergjente Financiare.

Seanca e Kuvendit u thirr nga Partia Demokratike të Kosovës për të diskutuar për Pakon Emergjente Financiare prej 320 milionë eurosh, për siç thuhej për të “tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike në adresimin e pasojave të pandemisë të shkaktuara nga sëmundja COVID-19”.

15:17 14.4.2020

PDK tërhiqet nga kërkesa për rezolutë, përfundon seanca

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar punimet e një seance të thirrur nga Partia Demokratike të Kosovës për të diskutuar për Pakon Emergjente Financiare prej 320 milionë eurosh, për siç thuhej për të “tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike në adresimin e pasojave të pandemisë të shkaktuara nga sëmundja COVID-19”.

Në fillim të seancës, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamaz, ka kërkuar që të hidhet në votim një mocion, i cili do të fuste në rend të ditës diskutimin dhe aprovimin e projektligjeve të propozuara nga PDK-ja për situatën ekonomike të krijuar nga Covid-19.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG