Bie numri i të infektuarve me koronavirus në Kinë
Kina raportoi për rënie të numrit të rasteve të reja me koronavirus, krahasuar me një ditë me parë, por, në të njëjtën kohë, vuri re rritje të transmetimeve të sëmundjes në rajonin e saj të largët verilindor, që kufizohet me Rusinë.
Komisioni Kombëtar Shëndetësor tha të mërkurën se në 24 orët e fundit ka regjistruar 46 raste të reja me koronavirus, që do të thotë gjysmë më pak se në 24-orëshin paraprak.
Prej tyre, 36 kanë qenë kinezë të infektuar, që janë kthyer nga jashtë.
Dhjetë rastet e tjera janë infektime të transmetuara nga njëri-tjetri, tetë prej të cilave në provincën Heilongjiang, që kufizohet me Rusinë.
Kina është vendi i origjinës së koronavirusit, ku rastet e para janë shfaqur në fund të vitit të kaluar.
Që atëherë, koronavirusi është përhapur në mbi 180 vende të botës, duke infektuar gati dy milionë njerëz dhe duke vrarë mbi 126,700.
Autoritetet kineze janë zotuar se do të mbeten vigjilente kundër valës së dytë të infektimeve.
Shkon në mbi 3,000 numri i viktimave nga koronavirusi në Gjermani
Numri i viktimave nga koronavirusi në Gjermani është rritur mbi 3,000.
Instituti Robert Koch për Sëmundje Infektive tha se ka regjistruar 285 viktima në 24 orët e fundit, që e rrisin në 3,254 numrin total të tyre.
Sipas Institutit, numri i të infektuarve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, ka arritur në 127,584.
Më shumë se gjysma e tyre, megjithatë, janë shëruar.
Gjatë ditës, kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të takohet me udhëheqësit rajonalë për të diskutuar rreth lehtësimit ose jo të disa masave të izolimit.
SHBA ndalon financimin e OBSH-së në kohë të pandemisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e udhëzoi administratën e tij që të ndalojë fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Trump tha se OBSH-ja “ka dështuar në detyrën e saj themelore”: përgjigjen ndaj shpërthimit të koronavirusit.
Ai e akuzoi OBSH-në, që është agjenci e Kombeve të Bashkuara, për fshehje të përhapjes së koronavirusit, pasi është shfaqur në Kinë, dhe tha se ajo duhet të mbahet përgjegjëse.
Më herët, Trump e ka akuzuar OBSH-në për njëanshmëri ndaj Kinës.
“E udhëzoj administratën time që t’i ndalojë fondet derisa të bëhet një rishikim, për të vlerësuar rolin e OBSH-së në keqmenaxhimin dhe mbulimin e përhapjes së koronavirusit", tha Trump në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.
"OBSH-ja dështoi në detyrën e saj themelore dhe ajo duhet të mbahet përgjegjëse", shtoi Trump.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se "nuk është koha" për të zvogëluar burimet për OBSH-në ose ndonjë organizatë tjetër humanitare që lufton koronavirusin.
"Tani është koha për unitet dhe që bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku në solidaritet, për të ndaluar këtë virus dhe pasojat e tij shkatërruese", tha Guterres.
SHBA-ja është financuesja më e madhe e SHBA-së. Vitin e kaluar, i ka siguruar 400 milionë dollarë, apo rreth 15 për qind të buxhetit total të saj.
SHBA-ja është aktualisht epiqendra e pandemisë së koronavirusit: me 609,407 të infektuar dhe me mbi 25,700 viktima.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar të martën në mbrëmje se janë konfirmuar dhjetë raste të reja me koronavirus.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, dy raste me vendbanim në Prishtinë, dy raste nga komuna e Vitisë (sipas vendbanimit një rast Smirë dhe një rast Skifteraj) dhe me nga një rast vendbanimet: Talinovc-Ferizaj, Hodonovc-Kamenicë, Burojë-Skenderaj, Suharekë, Gjakovë dhe Zveçan”, thuhet në njoftimin e Institutit.
Aktualisht në gjithë territorin e Kosovës me këtë sëmundje janë infektuar 387 persona, 66 janë shëruar dhe tetë pacientë kanë vdekur.
Me qëllim të luftimit të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.