Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:07 15.4.2020

Shënohet viktima e nëntë nga koronavirusi në Kosovë

Ka ndërruar jetë një 69-vjeçar nga Suhareka, i infektuar me koronavirus, njoftoi Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

I sëmuri ishte në mjekim intensiv në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Kjo është viktima e nëntë në Kosovë, që ka pësuar pas infektimit me koronavirus.

Aktualisht në Klinikën Infektive bëhet e ditur se janë duke u trajtuar 53 raste pozitive me koronavirus, 39 prej të cilave janë në gjendje stabile shëndetësore, ndërkohë që 12 raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Tre pacientë mbesin në gjendje kritike, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Që nga shfaqja e rastit të parë në Kosovë, më 13 mars, 387 persona kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus, ndërsa 69 kanë pasur sukses në shërim.

09:47 15.4.2020

Çfarë thotë OBSH-ja për heqjen e masave të izolimit?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar gjashtë kushte për vendet që konsiderojnë relaksimin e izolimit:

  • Transmetimi duhet të kontrollohet;
  • Sistemet shëndetësore kanë kapacitet për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;
  • Rreziqet e shpërthimit në ambiente të veçanta, si objektet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve, minimizohen;
  • Masat parandaluese ndërmerren në vende të punës, shkolla dhe vende të tjera ku njerëzit domosdoshmërisht shkojnë;
  • Rastet e importuara menaxhohen;
  • Komunitetet janë plotësisht të informuara, të angazhuara dhe të afta për t’u përshtatur me "normën e re".
09:43 15.4.2020

Danimarka rihap çerdhet dhe shkollat fillore

Në përpjekje për të lehtësuar disa masa të izolimit nga koronavirusi, Danimarka nis sot rihapjen e çerdheve dhe të shkollave fillore.

Me rregullat e reja, fëmijët do të mbahen më larg njëri-tjetrit se zakonisht, do të ketë regjime të rrepta pastrimi dhe, aty ku është e mundur, mësimet do të mbahen jashtë.

Kufizimet e tjera, si ndalimi i tubimeve në masë, mbeten, por autoritetet qeveritare thanë se numri i njerëzve të shtrirë në spital, si pasojë e koronavirusit, është në rënie dhe se kufizimet e tjera mund të hiqen së shpejti.

Danimrka ka mbi 6,700 të infektuar me koronavirus dhe rreth 300 viktima.

Këtë javë, masat e izolimit kanë nisur t’i lehtësojnë edhe disa shtete të tjera evropiane, përfshirë: Italinë, Austrinë dhe Spanjën.

Megjithatë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka zgjatur izolimin atje deri më 11 maj.

09:01 15.4.2020

Festivali i Filmit në Kanë s’mund të zhvillohet "në formën e tij origjinale"

Festivali i Filmit në Kanë nuk do të zhvillohet "në formën e tij origjinale" këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Organizatorët e kanë shtyrë festivalin muajin e kaluar, duke thënë se synojnë ta organizojnë atë në qershor ose korrik të këtij viti.

Por, përmes një deklarate të përditësuar, ata thanë se ky plan “nuk është më opsion”, pasi Franca i ka zgjatur këtë javë masat e izolimit deri më 11 maj.

Organizatorët nuk sqaruan se cilat mund të jenë alternativat, por thanë se shpresojnë "t’i bëjnë publike shpejt".

“Është vështirë të supozohet se Festivali i Kanës mund të mbahet këtë vit në formën e tij origjinale", thanë ata.

Festivali prestigjoz i Kanës fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej nga data 12 deri më 23 maj.

Kanë, 2019.
Kanë, 2019.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG