Kërkohet lirimi i disa prej të burgosurve në Kosovë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të lirohen nga vuajtja e dënimit disa kategori të të burgosurve, pas shfaqjes së pandemisë së koronavirusit.
Përmes një letre publike drejtuar institucioneve të Kosovës, kjo organizatë kërkon që të lirohen të gjithë të burgosurit që kanë në mbetje të dënimit më pak se pesë muaj, të moshuarit dhe të sëmurët, një numër i grave të dënuara dhe i të miturve.
KMDLNj po ashtu kërkon që të burgosurit që janë shfrytëzues të fundjavave në shtëpi, nëse nuk i plotësojnë kushtet për lirim të menjëhershëm, atëherë të lirohen në shtëpi për aq kohë sa zgjat pandemia dhe pastaj të kthehen në vuajtje të dënimit.
“Këto do të vlenin vetëm për të dënuar që e kanë vendimin e formës së prerë të gjykatës. Për rastet në paraburgim e që nuk mund të ndikojnë në vazhdimin e hetimeve apo e kanë shkallën e rrezikshmërisë së ulët, masa e paraburgimit duhet të zëvendësohet me një masë tjetër alternative”, thuhet në letrën e KMDLNj-së.
Të martën, edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) kërkoi nga institucionet e Kosovës që të bëhen ndryshime ligjore, me qëllim të lirimit të përkohshëm apo amnistisë së të burgosurve në kohën e pandemisë së koronavirusit.
Policia e Kosovës ndaloi 70 qytetarë që s'i respektuan masat kundër koronavirusit
Në 24 orët e fundit, Policia e Kosovës ka ndaluar 70 persona që nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet, për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se në 33 raste janë hasur 70 persona që nuk kanë respektuar masat për kufizim të lëvizjes.
Që nga ora 6:00 e mëngjesit të së mërkurës kanë hyrë në fuqi masat e reja që rregullojnë qarkullimin e qytetarëve.
Nën këto masa, qytetarët kanë të drejtë të lëvizin vetëm një orë e gjysmë brenda ditës dhe atë vetëm për nevoja thelbësore.
Kosova aktualisht ka 387 raste të të infektuarve me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 69 janë shëruar.
Kryetarët e komunave në veri informojnë publikun për masat e reja
Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, ku jeton shumica e popullatës serbe, përmes një konference për shtyp, informuan publikun lokal për masat e reja, të paraqitura nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, tha se masat e reja, të cilat kanë hyrë në fuqi sot, vlejnë gjithashtu për të gjitha komunat në veri: Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin Potokun.
Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët e Kosovës mund të dalin nga shtëpitë vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe varet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
"Ajo që është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët tanë që posedojnë letërnjoftime të lëshuara nga autoritetet kompetente të Republikës së Serbisë, është se leja e lëvizjes për ta përcaktohet në bazë të numrit të fundit në letërnjoftim ose pasaportë”, tha Rakiq.
Në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, është e ndaluar lëvizja me një person tjetër, përveç me personat me aftësi të kufizuara ose ata nën moshën 16 vjeç.
Personat mbi 65 vjeç këshillohen të mos dalin jashtë.
Rakiq po ashtu falënderoi shtetin e Serbisë dhe Zyrën për Kosovën atje për, siç tha, ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes në të gjitha nivelet - nga ekipet mjekësore deri te pajisjet mbrojtëse, ilaçet dhe dezinfektuesit.
Hyjnë në fuqi masat e reja të qarkullimit në Kosovë
Në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga ora 06:00 e mëngjesit, më 15 prill, me qëllim të mbrojtjes së jetës së banorëve në komunat e Kosovës, hyjnë në fuqi masat e reja të qarkullimit.
“Sipas vendimeve, lejohet qarkullimi i nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç, vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar javor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Ndërsa, për shtetasit e huaj, i njëjti vendim vlen me numrin e fundit të pasaportës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Po ashtu në vendime shpjegohen edhe mundësitë e lëvizjes në lidhje me të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës familjare dhe rastet e vdekjeve.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.