Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:08 15.4.2020

Ambasada amerikane kërkon respektimin e masave kundër koronavirusit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka kërkuar respektimin e masave të vendosura nga autoritetet e Kosovës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada amerikane tha se respektimi i masave ndihmon në luftimin efikas të koronavirusit.

“Ne e dimë që distanca sociale globale dhe ndjekja e kufizimeve lokale të lëvizjes po vjetërsohen. Por, është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë t'i ndjekim udhëzimet e nxjerra nga Qeveria e Kosovës dhe komunat, për të ndaluar përhapjen e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]. Ne do të jemi në gjendje ta shohim njëri-tjetrin personalisht nëse ndiqen këto masa. Ne jemi bashkë në këtë dhe së bashku mund ta mposhtim COVID-19”, shkroi Ambasada amerikane në profilin e saj në Facebook.

Kosova ka vendosur masa të reja të qarkullimit, nisur nga sot.

Sipas tyre, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe varet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Në Kosovë aktualisht janë të konfirmuara 387 raste të të infektuarve me koronavirus; nëntë pacientë kanë vdekur, ndërsa 69 janë shëruar.

12:57 15.4.2020

Kufizim i të drejtave të njeriut, në emër të shpëtimit të jetëve

Masat e reja që Qeveria në detyrë e Kosovës i ka vendosur për parandalimin e përhapjes dhe shpërndarjes së koronavirusit janë vënë në qendër të vëmendjes dhe debateve, për shkak të implikimeve nga aspekti i të drejtave të njeriut.

Këto masa kufizojnë lirinë e lëvizjes për qytetarët vetëm në një orë e gjysmë gjatë një dite, përderisa personat nën moshën 16-vjeçare dhe ata mbi 65 vjeç duhet të qëndrojnë brenda, përveç rasteve të domosdoshme apo urgjente.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, me seli në Prishtinë, këto masa shihen nga dy perspektiva.

Për më tepër mund të lexoni këtu.

12:52 15.4.2020

Rritet për më shumë se 5,000 numri i të infektuarve në Spanjë

Numri i të infektuare me koronavirus në Spanjë është rritur për 5,100 në 24 orët e fundit, duke arritur në 177,633.

Kjo është rritja më e madhe e kësaj shifre në pesë ditët e fundit në Spanjë.

Megjithatë, numri i viktimave ditore në këtë vend ka rënë lehtë në 24-orëshin paraprak, kur janë regjistruar 523.

Mbi 8,500 njerëz kanë vdekur deri më tash nga koronavirusi në Spanjë.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, u tha ligjvënësve të mërkurën se asgjë nuk do të jetë më njësoj, derisa nuk gjendet vaksina.

Këtë javë, Spanja ka nisur lehtësimin e disa masave të izolimit, duke u lejuar fabrikave dhe kompanive të ndërtimit të rinisin operimet.

12:42 15.4.2020

Kontrollimi i fakteve gjatë një pandemie

Pandemia e koronavirusit dhe rritja e shpejtë e kërkesave për informacion kanë krijuar një ambient ideal për përhapjen e keqinformacioneve dhe dezinformacioneve në gjithë botën.

Nga aktorët keqdashës dhe politikanët që përpiqen t’i avancojnë interesat e tyre deri te përdoruesit e dyshimitë të mediave sociale, pandemia ka krijuar një stuhi të përsosur që mundëson përhapjen e informacioneve të manipuluara me shpejtësi të paparë.

Derisa numri i përdoruesve të mediave sociale vazhdon të rritet në të gjithë botën, audienca duket se preferon organizatat kryesore të lajmeve si burim kryesor të informacionit.

Kjo vë përgjegjësi shtesë mbi organizatat e lajmeve, sepse, përveç sigurimit të informacionit në kohë dhe të saktë për publikun, ato gjithashtu duhet t’i korrigjojnë dhe hedhin poshtë manipulimet e qëllimshme ose të paqëllimshme me informacione.

Këtu mund të lexoni disa nga praktikat më të mira për kontrollimin e fakteve, të vlerësuara nga shkencëtarët socialë, reporterët, qendrat kërkimore dhe organizatat joqeveritare.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG