Maqedoni e Veriut: 974 të infektuar, 45 të vdekur nga koronavirusi
Në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 974 numri i të infektuarve me koronavirus ndërsa i viktimave në 45. Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë regjistruar 66 raste të reja me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Sipas shtrirjes gjeografike numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Kumanovë (27) dhe në Shkup (10) ndërsa në nëntë qytete tjera është regjistruar numër më i vogël i të infektuarve.
Gjatë 24 orëve janë realizuar 500 teste ndërsa numri i përgjithshëm i tyre ka arritur në 9,762.
Viktima e re në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë është një 76-vjeçare nga Shkupi, e cila ka ndërruar jetë para dy ditëve dhe që të mërkurën është diagnostikuar me COVID-19.
Drejtuesit e qeverisë dhe të pushtetit lokal në Kumanovë, qytetin me më shumë të infektuar (236) kanë shkëmbyer mendime të kundërta nëse duhet ose jo që ky qytet të vendoset në karantinë shtetërore.
“Kumanova duke llogaritur numrin e banorëve, ka numrin më të madh të personave të infektuar me COVID-19 dhe është më se e nevojshme që të veprohet në mënyrë më restriktive dhe të parandalojmë rritjen e numrit të personave të infektuar”, ka deklaruar kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, duke kërkuar izolim të plotë sikur në rastin me qytetin e Dibrës.
Zyrtarë qeveritarë thonë se për momentin nuk ka nevojë për masa të rrepta, por se nëse komisioni shëndetësor në luftë me panemidinë vendos se ka nevojë për karantinë, atëherë qeveria do të respektojë një masë të tillë.
“Unë nuk jam mbështetës i madh i masave rigoroze pasi krahasimi mes Dibrës dhe Kumanovës nuk mund të bëhet sepse Dibra është qytet shumë më i vogël. Por, do të diskutojmë edhe për këto çështje, për mbyllje të tërësishme 24 orëshe. Nëse këtë masa do ta rekomandojnë epidemiologët dhe profesionistët, do ta sjellim edhe këtë masë”, ka deklaruar kryeministri, Oliveri Spasovski.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka deklaruar se institucionet deri tani me sukses po e menaxhojnë situatën, por duke paralajmëruar edhe shumë punë deri në normalizimin e saj.
“Deri më tani, ne kemi menaxhuar me sukses rrjedhën e epidemisë. Me rritjen lineare të pacientëve pozitivë të konfirmuar rishtazi me Covid-19, ne jemi në gjendje të amortizojmë sistemin shëndetësor dhe të rrisim kapacitetet e objekteve spitalore dhe stafin mjekësor”, ka deklaruar Filipçe.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski të enjten me kërkesë të qeverisë pritet të zgjasë edhe për një muaj gjendjen e jashtëzakonshme në këtë vend.
Mbi 2 milionë persona të prekur me koronavirus në botë
Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirusin e ri në botë, ka prekur shifrën 2 milionë, është thënë në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.
Deri më tani mbi 600,000 raste janë konfirmuar në Shtetet e Bashkuara, derisa më shumë se 128,000 persona kanë vdekur në nivel global.
Numri real i të infektuarve ka mundësi që është shumë më i madh, pasi shkalla e testimeve varet nga vendi në vend.
Një million raste të reja të të infektuarve është thënë të jenë shtuar në më pak se dy javë.
Policia e Kosovës bën apel kundër dhunës në familje
Policia e Kosovës ka bërë apel te qytetarët që të mos ushtrojnë dhunë ndaj askujt sidomos në kohën e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në muajin mars ka një rritje të vogël të rasteve kur qytetarët kanë raportuar ushtrimin e dhunës ndaj tyre, gjithsej 169.
“Në tre mujorin e parë të këtij viti, janë evidentuar rastet si në vijim: janar 161 raste, shkurt 151 raste dhe në mars 169 raste të dhunës në familje”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Përveç Kosovës, në mbarë botën është raportuar për rritje të shifrave të rasteve të dhunës në familje si pasojë e qëndrimit në shtëpi pas vendosjes së masave kufizuese në qarkullim.
Kosova aktualisht ka 387 raste të konfirmuara me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 69 janë shëruar.
Nga dita e mërkurë në këtë shtet kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Osaka u bën thirrje qytetarëve që të dhurojnë xhaketa të shiut
Qyteti japonez, Osaka u ka bërë thirrje qytetarëve të vet që të dhurojnë xhaketa plastike të shiut, për t’iu ndihmuar spitaleve që kanë mungesë të pajisjeve mjekësore.
Kryetari Ichiro Matsui ka thënë se punëtorët shëndetësorë kanë nisur të veshen me qese të mbeturinave kur po trajtojnë pacientët e prekur nga koronavirusi.
“Nëse mjekët infektohen, ne nuk do ta mundim kurrë koronavirusin”, ka thënë Matsiu, teksa ka treguar për mungesë të madhe për pajisje mjekësore.
Agjencia e lajmeve, Reuters ka thënë se në njoftim është cekur se xhaketat mund të jenë të cilitdo stil dhe ngjyrë, për aq kohë sa janë për të rritur.
Osaka deri më tani ka raportuar për gati 900 raste të prekura me sëmundjen Covid-19, pas Tokios, që është prekur më së keqi.
Në Tokio dhe gjashtë zona tjera, përfshirë Oskan është shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, pasi në gjithë Japoninë është raportuar për 8,000 persona të infektuar dhe 166 të vdekur nga ky virus.