Merkel lehtëson masat e izolimit
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka njoftuar për planet e lehtësimit të masave të izolimit në Gjermani.
Masat e distancimit fizik do të vazhdojnë së zbatuari deri më 3 maj, derisa Merkel u ka rekomanduar njerëzve që të vendosin maska në dyqane dhe ndërkohë që përdorin transportin publik.
Megjithatë nga java e ardhshme, dyqaneve nën 800 metra katrorë do t’iu lejohet të zhvillojnë veprimtarinë e tyre.
Fëmijët e klasës së parë dhe vitit të fundit të shkollës së mesme do të kthehen në klasa më 4 maj.
Sipas Institutit gjerman, Robert Koch, ky shtet ka 127,584 raste të konfirmuara dhe 3,254 të vdekur, si pasojë e koronavirusit të ri.
Jugkoreanët votojnë me maska dhe doreza
Koreja Jugore ka mbajtur zgjedhje sikurse asnjë shtet tjetër.
Votuesit kanë vendosur maska dhe doreza dhe kanë qëndruar një metër larg njëri-tjetrit.
Atyre u është matur temperatura dhe u janë dezinfektuar duart.
Këto janë vetëm disa nga masat që është kërkuar të merren për të mbajtur zgjedhjet në kohën e pandemisë me koronavirus, proces në të cilin garohet për 300 ulëse të Asamblesë Kombëtare.
Në këto zgjedhje garojnë 35 parti, ndonëse në qendër të tyre janë Partia Demokratike, që aktualisht është në pushtet dhe Partia konservatore, E Ardhmja e Bashkuar, që deri më tani kanë qenë në opozitë.
Menaxhimi i situatës në kohën e koronavirusit ka qenë çështja kyçe që ka dominuar diskutimet para zgjedhjeve duke lënë anash skandalet e korrupsionit.
Disa sondazhe të publikuara nga tre transmetues publikë kanë treguar se Partia Demokratike e presidentit Moon Jae-in do të fitojë shumicën e ulëseve dhe do të rrisë shumicën në parliament.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 10,591 janë infektuar dhe 225 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri në këtë shtet.
A jeni ju pjesë e ndonjë kategorie për marrje të ndihmës?
Google prezanton “fondin e ndihmës për gazetari”
Kompania Google ka njoftuar të mërkurën se do të ndajë një fond emergjent për t’iu ndihmuar mediave lokale për të vazhduar punën e tyre në kohën e pandemisë me koronavirus.
Gjiganti i internetit nuk ka dhënë detaje lidhur me këtë fond, mirëpo ka thënë se do të ofrojë grante nga “disa mijëra dollarë” deri në “dhjetëra mijëra dollarë për mediumet më të mëdha”.
Ky hap vjen pasi sektori medial është duke u përballur me pengesa të thella si pasojë e izolimit kombëtar, mbylljes së ekonomive dhe njëkohësisht mungesës së reklamave.
“Lajmet lokale janë burim vital i mbajtjes së njerëzve dhe komunitetit të lidhur”, ka thënë nën-presidenti i Google News, Richard Gingras.
“Sot, ato luajnë rol edhe më të madh në raportim për izolimin dhe strehimin nëpër shkolla, për mbylljen e parqeve dhe rreth të dhënave se si po ndikon koronavirusi në përditshmëri”.
“Në fund të procesit ne do të njoftojmë kush ka pranuar fonde dhe si janë shfrytëzuar ato”, ka thënë ai.
E përditshmja, The New York Times ka vlerësuar se shtëpitë mediale kanë mbyllur 28,000 vende të punës për shkak të krizës shëndetësore dhe ndikimit që ka pasur ajo në ekonomi.
Edhe gjiganti tjetër Facebook ka njoftuar për 30 mars se do të dhurojë 100 milionë dollarë për të mbështetur organizatat mediale që janë dëmtuar nga pandemia me koronavirus.